Në të gjithë botën kujtohet sot Dita Ndërkombëtare e Kursimeve. Një ditë për të analizuar të ardhurat, qasjen për konsum dhe atë për kursim. Por sa arrijnë të kursejnë shqiptarët? Pjesa dërrmuese e qytetarëve i sigurojnë të ardhurat nga paga, ndërsa një pjesë kanë të ardhura nga të afërmit emigrantë.
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, 48.9% e të punësuarve kanë paga deri në 40 mijë lekë; 11.1% kanë pagë nga 40-50 mijë lekë dhe 7.9% janë me pagë mujore nga 50-60 mijë lekë. Këto kategori e kanë thujase të pamundur të kursejnë me këto të ardhura.
Ndërkohë që 22.6% e të punësuarve kanë pagë 60.000-95.000 lekë; 4.1% kanë pagë mujore 95.000-120.000 lekë dhe 5.4% mbi 120.000 lekë. Këto janë edhe kategoritë që mund të kursejnë një pjesë të të ardhurave.
Por një pjesë e individëve dhe familjeve ndihmon me të ardhura nga të afërmit emigrantë. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në 6-mujorin e parë të këtij viti, remitancat arritën vlerën e 444 milionë eurove, duke sinjalizuar se mund të kapërcejnë rekordin prej 834 milionë euro të shënuar në vitin 2022.
Por sa janë fashat më frekuente të dërgesave të parave nga jashtë për në Shqipëri?
Sipas të dhënave nga kompania Easy pay, vlera mesatare e dërgesave drejt Shqiperisë është rreth 500 euro, por ka diferenca të ndjeshme mes shteteve të origjinës. “Shtete me ekonomi jo shumë të fortë, si Italia ose Greqia janë në nivele më të ulëta 200-300 euro të remitancave, ndërsa shtetet ku emigracioni është rritur vitet e fundit, si Gjermania ose Anglia janë në nivele dergesash goxha më të larta. Kjo tregon dhe diferencat mes nivelit ekonomik të emigrantëve shqiptarë nëpër Europë dhe botë”, shprehen ekspertët e kompansië Easy Pay.
Por cilat janë periudhat që njihen si piku për dergesat? Sipas të dhënave nga Easy Pay, dy periudhat e pikut për dërgesat janë në tremujorin e dytë dhe të katërt të vitit dhe sidomos muaji dhjetor është ai me dërgesat më të larta, pasi shumë emigrantë nuk kanë mundësi të kthehen në atdhe dhe i dërgojnë paratë si formë dhuratash për festat e fundvitit.
Për cfarë përdoren më së shumti remitancat? “Kryesisht përdoren për suport familjar, për nevojat ditore dhe mujore, si faturat e utiliteteve, shpenzime për ushqime dhe veshmbathje dhe gjithashtu, shpeshherë dhe për arsye shëndetësore. Shqipëria nuk e ka arritur akoma nivelin, ku të ardhurat nga jashtë të përdoren për arsye rritje ekonomike, që mund të vije nga investimet etj”, shpjegojnë ekspertët.
Korridoret më historike që vazhdojnë të mbeten kryesore, sipas Eurostat janë Italia dhe Greqia. Gjithashtu, duhet theksuar që shtetet si Anglia dhe Gjermania po rriten me ritme shumë të shpejta prej emigracionit të lartë të viteve të fundit drejt ketyre 2 shteteve. Gjithashtu, shtete si Franca dhe Belgjika kanë pësuar një rritje të rëndësishme në remitanca gjatë viteve të fundit.