Metalet e çmuara po qëndrojnë në rritje në sesionin e sotëm, pasi luftimet dramatike mes Hamasit dhe Izraelit gjatë fundjavës kanë rikthyer rrezikun e një konflikti më të gjerë në Lindjen e Mesme, duke bërë që investitorët t’i drejtohen aseteve të sigurta, siç është ari.
Izraeli goditi qytetin e Gazës të dielën, duke vrarë qindra njerëz, në shenjë hakmarrjeje për një nga sulmet më të përgjakshme në historinë e tij, kur grupi islamik Hamas pushtoi qytetet izraelite të shtunën.
Ari është ngjitur drejt 1850 dollarëve për onz në sesionin e sotëm, duke prekur nivelin më të lartë në 1 javë. Analistët mendojnë se, metali i çmuar mund të ngjitet drejt 1880 dollarëve për onz, por nuk do ta thyejë nivelin teknik të 1890 dollarëve. Dhunë që shpërtheu gjatë fundjavës rrezikon të nxisë një luftë të re në Lindjen e Mesme, duke rritur kërkesën për asete të sigurta.
Në këtë mënyrë, ari u rimëkëmb nga niveli më i ulët në 7 muajt e fundit, që ishte të premten, por rritja mbetet e kufizuar pasi të dhënat e forta ekonomike në SHBA kanë forcuar mundësitë që Rezerva Federale të rrisë sërish normat e interesit dhe ti mbajë ato të larta për një kohë më të gjatë.
Të dhënat e publikuara të premten, treguan se ekonomia amerikane krijoi edhe 336 mijë vende të reja pune, numri më i lartë në 8 muajt e fundit. Normat më të larta të SHBA-së rrisin koston oportune të mbajtjes së arit, i cili nuk jep interes.