Prodhimi i energjisë nga dielli nëpërmjet fotovoltaikëve është dyfishuar këtë vit. Duket se Shqipëria ka nxjerrë mësime nga kriza energjetike e vitit të kaluar, duke nxitur drejt diversifikimit të prodhimit të energjisë, për të ulur kështu varësinë nga reshjet dhe importi.
Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, në gjysmën e parë të viti, nga panelet fotovoltaike u prodhuan 42 mijë e 676 megavat/orë energji nga më pak se 23 mijë megavat/orë në janar-qershor 2022.
‘”Diversifikimi është fjala kyçe për sistemin tonë energjetik. Ne jemi të përqendruar 100% ne prodhimin hidro. Në këto dy vitet e fundit kemi shtuar një përqindje të vogël në energji diellore. Janë duke u ndërtuar disa parqe gjeneratorësh të erës. Qytetarët janë të parët për t’u diversifikuar dhe për të pasur kosto më të ulëta për atë cka paguajnë”, thotë Saimir Tollumi, inxhinier elektrik.
Për shkak të çmimeve më të larta pas daljes në tregun e lirë, edhe bizneset po investojnë më shumë në drejtim të prodhimit të energjisë nga panelet diellore.
“Shumë të interesuar kanë qenë bizneset gjatë këtyre kohëve sepse bizneset e kanë koston energjisë gati dyfish dhe në qoftë se një familje e nxjerr koston fillestare për 5 ose 7 vjet, një biznes e nxjerr për 2 vjet ose 2 vjet e gjysmë. Institucionet ose qeveria qendrore duhet të merret me këtë pjesë sepse në shohim në shumë vende në Europë kanë hequr TVSH-në për panelet fotovoltaike”, tregon Flamur Qytyku, sipërmarrës në prodhimin e energjisë nga dielli.
Zgjerimi i investimeve në prodhimin e energjisë nga panelet diellore konfirmohet edhe nga sipërmarrës të huaj që operojnë edhe enë tregun shqiptar.
“Ne përgjithësisht bashkëpunojmë me biznese të mëdha. Nga shifrat e raportuara nga zyra e shitjeve deri në fund të shtatorit, aktiviteti ynë është zgjeruar me rreth 40 për qind. Presim që deri në fund të vitit shitjet të rriten me së paku 50 për qind në raport me një vit më parë”, tha Daniele Cairo, sipërmarrës në prodhimin e energjisë nga dielli.
Por pavarësisht ecurisë pozitive, prodhimi i energjisë nga panelet fotovoltaike në raport me totalit zë më pak se 1 për qind.