Aurora Sulçe, drejtuese e Fast News Economy
Luhatjet e kursit të këmbimit, me zhvlerësimin e fortë të euros kanë shkaktuar disbalanca të forta në ekonomi. Monedha europiane, e dyta më e përdorur në vend pas lekut, ka zbritur në nivele të paimagjinueshme dhe po qëndron e tillë, edhe pas përfundimit të sezonit turistik.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, euro e mbylli këtë javë në kuotën e 106.6 lekëve, ose 10 lekë më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë. Në verë, monedha europiane njohu edhe nënçmimin më të fortë, duke iu afruar, madje edhe arritur për pak ditë kuotën e 100 lekëve. Rënia do të vijonte, nëse nuk do të ndërhynte Banka e Shqipërisë, e cila deri në korrik tërhoqi nga tregu i këmbimit 170 milionë euro. Operacione të tilla vijuan edhe në shtator, duke ushtruar presion që euro të rritej deri në 106.6 lekë që është aktualisht.
Por çfarë ka ndodhur me kursin e këmbimit, që ka shkaktuar edhe këtë zhvlerësim të fortë të monedhës europiane?
Në tregun e këmbimit ka pasur një shtim të ndjeshëm të ofertës monetare në euro, e shkaktuar nga rritja e të ardhurave nga turizmi; rritja e remitancave apo ndryshe dërgesave të emigrantëve; rritja e fluksit të investimet e huaja, por edhe shtimi i eurove në qarkullim nga burimet informale. Kjo rritje e ofertës ndodhi paralelisht me rënien e kërkesës nga tregtarët dhe importuesit për mallra dhe prrodukte, reflektim edhe i ngadalësimit të aktivitetit ekonomik në vend.
Por ndërsa oferta për euro u shtua, oferta monetare në lek pësoi rënie. Kjo do të thotë se ka më pak lek shqiptar në qarkullim, për faktin se pagat nuk janë rritur; kreditimi ka qenë anemik, gjithashtu edhe shpenzimet nuk kanë pësuar ndonjë lëvizje të qenësishme.
Por a është euro në nivelet e 106 lekëve normaliteti i ri në tregun e këmbimi dhe çfarë do të thotë kjo?
Me shumë gjasë po. Kjo duke pasur parasysh se nuk priten goditje të tjera në tregun e këmbimit. Madje, parashikimet janë që euro mund të forcohet pak në muajt e mbetur të vitit, për shkak të rritjes së shpenzimeve buxhetore që do të bëjë qeveria, të cilat në pjesën e parë të vitit nuk kanë qenë më shumë se 60%. Por gjithsesi, nuk pritet që të kemi rikthim tek monedha europiane e fortë, me të cilën u mësuam për shumë vite.
Ndërkaq një ekuilibër i ri në tregun e këmbimit, me euron në nivelet e 106 lekëve, do të thotë se të gjithë agjentët ekonomikë që kryejnë veprime në euro duhet të riorganizohen tashmë. Biznesi të orientojë planet e tij dhe eksportuesit kontratat e reja ti negociojnë me euron në këto nivele. Familjet që marrin remitanca duhet të shkurtojnë shpenzimet dhe të rishohin vendimarrjen, në rastin se duan të marrin një kredi. Ata që kanë kursime në euro, gjithashtu duhet të riorganizohen. Ndërsa qeveria, mundësisht të shlyejë sa më shumë borxh të jashtëm, pasi situata me euron e favorizon./A2 CNN