Nga Aurora Sulçe
Flitet shumë për turizmin, por më pak për turizmin mjekësor. Gjithmonë e më shumë jo vetëm emigrantët shqiptarë, por edhe shtetas të huaj po vijnë në Shqipëri për shërbime me karakter mjekësor dhe të industrisë estetike. Në botë, ky treg prej vitesh po njeh rritje galopante dhe po ringrihet pas goditjes nga pandemia.
Sipas të dhënave, tregu global qarkullon rreth 100 miliardë dollarë në këtë industri, me një klientelë që i kapërcen 10 milionë persona dhe ku çdo njëri prej tyre, mesatarisht shpenzon në operacione të ndryshme rreth 10 mijë dollarë. Projeksionet janë që në vitin 2026, turizmi mjekësor të qarkullojë në të gjithë botën 142 miliardë dollarë.
Por, si paraqitet Shqipëria? Sa i zhvilluar është turizmi mjekësor tek ne?
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në vendin tonë për trajtime shëndetësore është rritur ndjeshëm vitet e fundit, duke shënuar rekordin e 2.3 milionë personave vitin e kaluar.
Por, cilat janë shërbimet kryesore që ofrohen nga klinikat dhe spitalet në Shqipëri? Shërbimet dentare janë të parat, pasuar nga rinoplastika ose ndryshe, ndërhyrjet në hundë; operacione të ndryshme dhe në fund ndërhyrjet në fytyrë, si botox, filler etj.
Por, si çdo sektor, edhe turizmi mjekësor në Shqipëri has probleme të shumta.
Sipas operatorëve që ofrojnë këto shërbime, kryesorët janë informaliteti; evazioni fiskal; cilësia e pakontrolluar e produkteve; mungesa e standardizimit të ofruesve të shërbimeve dhe shtrembërimi i konkurrencës.
Në një treg me potencial të madh dhe në rritje të vazhdueshme, cilët janë konkurrentët tanë në rajon për këto shërbime? Sipas të dhënave, në Evropën Juglindore, konkurrentë me Shqipërinë përsa i përket turizmit mjekësor janë Turqia, Rumania, Serbia dhe në një farë mase, edhe Maqedonia e Veriut.
Ndërkaq shumë shtete kanë zbatuar strategji të caktuara për të zhvilluar tregun e turizmit mjekësor. Sjellim grafikisht vetëm disa shembuj që kanë rezultuar efikas dhe kanë rritur ndjeshëm qarkullimin në këto vende për këto industri.
Në vitin 2015, “Turkish Airlines” aplikoi zbritje 50% në biletat e fluturimeve për ata që vinin për turizëm mjekësor në Turqi. Në vitin 2017, qeveria indiane ofroi vizë mjekësore të dedikuar për të huajt, me disa përfitime për ta, ku një pjesë ishte edhe mbulimi i kostove. Emiratet e Bashkuara Arabe ndryshuan tërësisht politikën e vizave për udhëtimet mjekësore, duke hequr të gjitha burokracitë dhe pengesat.
Në këto shtete turizmi mjekësor është zhvilluar ndjeshëm dhe qarkullon me miliarda dollar çdo vit./A2 CNN