AKADEMIK PROF. ANASTAS ANGJELI
Duket se bota, që prej krizës të shkaktuar nga Covid 19, gjendet në një spirale krizash shumëdimensionale politike, ekonomike, sociale, klimatike. Lufta në Ukrainë ishte sigurisht edhe kulminacioni i kësaj spiraleje. Lufta është duke u zhvilluar edhe në këto momente e megjithatë (pavarësisht tragjedisë që po përjeton populli ukrainas dhe nevojës për paqe të qëndrueshme në atë rajon) duket sikur të gjithë palët e implikuara, çdo ditë e më shumë, po pranojnë faktin se ky konflikt fatkeqësisht do zgjasë. Dhe bota tashmë duket se “po mësohet” se periudha e krizave shumëdimensionale do jetë një periudhë e gjatë.
Në situata të tilla, ajo çfarë është e nevojshme është të kuptohet se politika është arti i së mundshmes dhe e mundshme, në një botë që ndryshon me shpejtësi marramendëse, është ajo çka krijohet nga dinamikat e interesave të të gjitha palëve. Ky cikël dhe spirale krizash po shoqërohet me ndryshime gjeopolitike dhe gjeoekonomike, të cilat nuk mund të mos ishin jashtë vëmendjes edhe kësaj radhe në Samitin e G20-ës.
Prandaj edhe Samiti i vendeve të G20- tës, i zhvilluar në Neë Dehli në datat 9- 10 shtator duket sikur u zhvillua, duke pasur parasysh pikërisht atë çfarë është e mundur të arrihet në një periudhë të tillë komplekse si kjo që po kalojmë. Edhe ky Samit, ashtu si ai i zhvilluar në Bali të Indonezisë në 15-16 nëntor të vitit të kaluar, nuk ka mundur të dalë jashtë kornizës formale të një forumi ndërkombëtar që si qëllim ka ofrimin e një hapësire diskutimi në një nivel të lartë të çështjeve me karakter global ndërmjet liderëve të 20 ekonomive më të mëdha në botë.
Megjithatë, pavarësisht formalitetit mund të vihen re disa ndryshime (midis samitit të sivjetshëm dhe atij të rreth një viti më parë), që mund të konsiderohen të rëndësishme duke marrë parasysh gjithë kontekstin ndërkombëtar. Në samitin e sivjetshëm, përveç mungesës së Presidentit të Federatës Ruse, u vu re edhe mungesa e rëndësishme e Presidentit të Republikës Popullore të Kinës. Nga ana simbolike, kjo mungesë merr një përmase të re duke marrë parasysh që ky Samit i G20-ës zhvillohet pak ditë pas Samitit të vendeve BRICS.
I ideuar si një hapësirë alternative ndaj atyre perëndimorocentrike (G7, G20), BRICS me gjithë agjendën ambicioze (tendenca për shkëputjen nga dollari në marrëdhëniet e shkëmbimet tregtare, krijimin e një monedhe të përbashkët, krijimin e institucioneve politike financiare ndërkombëtare) dhe situatën e favorshme ndërkombëtare po përpiqet të konsiderohet gjithnjë e më shumë si një pol alternativ i zhvillimit ekonomik, financiar dhe politik i një pjese të konsiderueshme të vendeve të cilat pretendojnë se interesat e tyre do të shërbehen më mirë jashtë arkitekturës politike-financiare aktuale globale.
Ndryshimi i dytë, krahasuar me samitin e vjetshëm në Bali, ishte adoptimi i shpejtë i deklaratës së përbashkët dhe mungesa në të e referencave të qarta, të cilat dënojnë agresionin e Rusisë në Ukrainë.
Në lidhje me këtë çështje, në deklaratën e përbashkët ritheksohet se nuk ka ndryshim nga “qëndrimet tona kombëtare dhe rezolutat e miratuara në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së (A/RES/ ES-11/1 dhe A/RES/ES-11/ 6)”.
Pra, nuk vihet re formalisht një ndryshim nga ato qëndrime që secili vend ka në lidhje me luftën që po zhvillohet në Ukrainë. Gjithashtu, po në fillim të deklaratës së përbashkët nënvizohet se: ”Të gjitha shtetet duhet të veprojnë në një mënyrë në përputhje me Qëllimet dhe Parimet e Kartës së OKB-së në tërësinë e saj.
Në përputhje me Kartën e OKB-së, të gjitha shtetet duhet të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës për të kërkuar përvetësim territorial kundër integritetit territorial dhe sovranitetit ose pavarësisë politike të çdo shteti. Përdorimi ose kërcënimi i përdorimit të armëve bërthamore është i papranueshëm”. Në këtë paragraf, ashtu si në asnjë tjetër nuk përmendet në mënyrë eksplicite Federata Ruse, por përmendet se në lidhje me luftën në Ukrainë: “Ekzistojnë pikëpamje dhe vlerësime të ndryshme për situatën”.
Liderët perëndimorë si Olaf Scholz apo Rishi Sunak e konsideruan deklaratën e përbashkët si një përfundim shumë të mirë dhe përmbajtjen e saj si “një gjuhë shumë të fortë në lidhje me luftën e jashtëligjshme që Rusia po bën në Ukrainë. Megjithatë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës në lidhje me deklaratën përfundimtare deklaroi se ”Ukraina është mirënjohëse ndaj partnerëve të saj që u përpoqën të përfshinin formulime të forta në tekst.
Në të njëjtën kohë, G20 nuk ka asgjë për të qenë krenare në pjesën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Natyrisht, pjesëmarrja e palës ukrainase do t’u kishte lejuar pjesëmarrësve të kuptonin më mirë situatën. Parimi i “asgjë për Ukrainën pa Ukrainën” mbetet po aq kyç si kurrë më parë”.
Nga sa më sipër vihet re se qëndrimet diametralisht të kundërta në lidhje me luftën në Ukrainë vazhdojnë të jenë të tilla. E megjithatë, krahasuar me një vit më parë duket se kjo nuk përbën më pengesën kryesore për të diskutuar për mundësinë e hapësirave të bashkëpunimit në nivel global.
Për sa i përket krizës ushqimore, energjisë dhe sigurisë, ky Samit, në deklaratë, i bëhet thirrje Rusisë dhe Ukrainës që të sigurojnë dërgesa të menjëhershme dhe të pandërprera të grurit, ushqimit dhe plehrave kimike nga të dyja vendet. Njëherësh theksohet rëndësia e ruajtjes së sigurisë së ushqimit dhe energjisë dhe bëhet thirrje për t’i dhënë fund shkatërrimit me mjete ushtarake ose sulme të tjera ndaj infrastrukturës.
Në Samit vëmendje iu kushtua të ekonomisë dhe tregjeve financiare, për të cilat pas diskutimeve, në deklaratë theksohet se do vazhdojnë përpjekjet “për të mbrojtur shtresat vulnerabile duke nxitur rritjen e barabartë dhe duke forcuar stabilitetin makroekonomik dhe financiar”.
Gjithashtu u rikonfirmua angazhimi për politikat monetare dhe për kursin e këmbimit të monedhave ndërkombëtare të ndërmarra nga prilli 2021 në takimin e bërë nga ministrat e financave dhe guvernatorët e bankave qendrore të vendeve të G20-ës.
Ministrat e financave, guvernatorët e bankave qendrore gjithashtu, do të diskutojnë promovimin e udhërrëfyesit të kriptomonedhës në takimin e tyre në tetor të këtij viti. Gjithashtu ritheksohet ”angazhimin për të siguruar një fushë loje të barabartë dhe konkurrencë të ndershme duke dekurajuar proteksionizmin dhe praktikat e shtrembërimit të tregut”.
Në lidhje me ndryshimet klimaterike, ndryshimi i klimës ritheksohet “nevoja për të përshpejtuar përpjekjet për të hequr gradualisht energjinë e rinovueshme nga qymyri, sipas kushteve kombëtare”. Gjithashtu, theksohet se do të vazhdojnë përpjekjet për të lehtësuar financimin me kosto të ulët për vendet në zhvillim për të mbështetur tranzicionin e tyre me karbon të ulët, si dhe për të inkurajuar përpjekjet për të trefishuar kapacitetin e energjisë së rinovueshme në mbarë botën përmes objektivave dhe politikave ekzistuese, sipas rrethanave kombëtare deri në vitin 2030.
Në deklaratën përfundimtare ritheksohet angazhimin për të ndërmarrë veprime për të rritur financimin e qëndrueshëm dhe përdorimin e mekanizmave dhe stimujve të çmimit të karbonit për neutralitetin e karbonit dhe emetimet zero të karbonit. Gjithashtu, u bëhet thirrje palëve të përcaktojnë një objektiv të ri kolektiv sasior të financimit klimatik ambicioz, transparent dhe të gjurmueshëm në vitin 2024, nga një nivel bazë prej 100 miliardë dollarë në vit.
Vëmendje të veçantë në këtë Samit, që u konsiderua si një zhvillim shumë i rëndësishëm dhe interesant ishte padyshim edhe deklarata e Presidentit Biden për nisjen e një korridori të ri ekonomik që do të lidhë Indinë, Lindjen e Mesme dhe Evropën. Ky korridor me potencial të madh në lidhje me tregtinë globale mund të konsiderohet si përgjigja amerikane e projektit tashmë të konsoliduar kinez, të njohur si “Nj Brez një Rrugë”, projekt i cili ka investuar miliarda dollarë në projekte infrastrukturore çdo vit. Presidenti Biden, së bashku me liderët e Indisë, Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Bashkimit Evropian nënshkruan një memorandum mirëkuptimi duke paraqitur projektin e ri.
Samiti i G20-ës, i zhvilluar në New Dehli, tregoi edhe një herë se bashkëpunimi ndërkombëtar tashmë po ndërtohet brenda një kornize shumë më të paqëndrueshme se periudha relativisht e qetë e post viteve 1990-fund të viteve 2000. Duket se përpjekjet për shtimin e aftësive diplomatike dhe politike nga të gjitha palët, për të ekuilibruar lëvizjet ekonomike nga era e fortë e përplasjes së interesave globale në vitet në vazhdim do të shtohen, aq më tepër që ciklet e krizave dhe spirales së saj vazhdon dhe duhet përballuar.