Rritja e çmimeve është shoqëruar me shtim të të ardhurave në buxhetin e shtetit. Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto), taksa që dëshmon për konsumin, u realizua në masën 26.5 miliardë lekë, 4.7 miliardë ose 21.6% më shumë se 7 mujori 2022, si dhe 2.6 miliardë ose 11% më shumë se plani i TVSH për t’u arkëtuar në 7 mujorin 2023.
Shtrenjtimi i produkteve në treg ka bërë që të mblidhen më shumë para nga TVSH-ja, çka ka rezultuar fitimprurëse për qeverinë. Inflacioni i lartë mbetet një problem shqetësues për familjet shqiptare dhe një risk për ekonominë. Kjo pavarësisht një zbutje të tij muajt e fundit. Sipas të dhënave të INSTAT, në gusht inflacioni arriti në 4% nga 8% që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Por pavarësisht rënies së inflacionit, çmimet e ushqimeve mbeten të larta edhe në gusht, ndërsa shënuan një rritje prej 7.8%, gati sa dyfishi i inflacionit të muajit.
Duke pasur më shumë të ardhura në dispozicion nga TVSH-ja, qeveria ka rritur ndjeshëm rimbursimet. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, rimbursimet për periudhën 7 mujore 2023 janë 10.8 miliardë lekë, 1.5 miliardë lekë ose 16.2% më shumë se 7 mujori 2022, si dhe 660 milionë lekë ose 6.5% më shumë se plani i rimbursimit të TVSH-së për 7 mujorin 2023.