Rriten kostot në prodhim. Instituti i Statistikave konstaton se në tremujorin e dytë të këtij viti Indeksi i Çmimeve të Prodhimit shënoi një rritje me 6,9 % kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Kostot janë rritur si për prodhimet vendase, ashtu edhe për ato të detsinuara për eksport. Energjia elektrike është faktori kryesor që ka ndikuar në shtrenjtimin e kostove të prodhimit, gjë që pritet të reflektohet më pas, me rritjen e çmimeve në treg për konsumatorët.
Ndryshimi vjetor: Krahasuar me tremujorin e dytë 2022 rritja më e madhe e çmimeve prej 13,8 % vërehet në seksionin “Energjia elektrike, gaz, avull dhe me ajër të kondicionuar”, pasuar nga seksionet “Industri përpunuese” me 5,9 % dhe “Industri nxjerrëse” me 3,6 %.
Brenda seksionit “Industri përpunuese” rritja më e madhe e çmimeve vërehet në aktivitetin “Shtypshkrimi dhe rigrupimi i mediave të regjistruara” me 21,4 %, pasuar nga aktivitetet “Përpunimi i produkteve ushqimore” me 13,8 %, “Prodhimi i produkteve metalikë të fabrikuar, përveç makinerive dhe pajisjeve” me 10,2 %, “Prodhimi i drurit dhe produkteve prej druri dhe dushku, përveç mobiljeve; prodhimin e artikujve prej kashte dhe xunkthi” me 8,8 %, “Prodhimi i produkteve minerale jo metalike” me 8,6 %, “Prodhimi i mobileve” me 7,9 %, etj.
Nga ana tjetër ulja më e madhe e çmimeve vërehet në aktivitetin “Përpunimi i koksit dhe rafineria e nënprodukteve të naftës” me 4,9 % “Përpunimi i tekstileve” me 3,4 %, “Prodhimi i mjeteve të transportit, rimorkiove dhe gjysmërimorkiove” me 2,6 %, etj.
Indeksi i Çmimeve të Prodhimit të produkteve për tregun vendas: Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2022, indeksi shënoi rritje me 8,3 %. Rritja më e madhe e çmimeve vërehet në seksionin “Industri nxjerrëse” me 18,1 %, pasuar nga seksioni “Industria Përpunuese” me 8,9 %, seksioni “Energjia elektrike, gaz, avull dhe ajër i kondicionuar” me 7,0 % dhe seksioni “Furnizimi me ujë, aktivitete të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, mbetjeve” me 0,5 %.
Indeksi i Çmimeve të Prodhimit të produkteve për eksport: Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2022, indeksi shënoi rritje prej 4,6 %. Rritja më e madhe e çmimeve është shënuar në seksionin “Energjia elektrike, gazi, avulli dhe ajri kondicionuar” me 19,5 %, pasuar nga seksioni “Furnizimi me ujë, aktivitete të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, mbetjeve” me 15,7 % dhe seksioni “Industria Përpunuese” me 2,7 %. Nga ana tjetër seksioni “Industri Nxjerrëse” ka shënuar ulje me 7,9 %.