Kompanitë e sigurimit kanë shprehur rezerva lidhur me projektligjin e qeverisë “Për sigurimin e detyrueshëm nga tërmetet”. Nëpërmjet një letre zyrtare, dërguar Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, që është edhe hartuesja e draftit, Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë evidenton problemet, që sipas saj shkaktohen nga ky projektligj.
Në parim, siguruesit e mbështesin nismën, por kundërshtojnë modelin e zgjedhur.
Projektligji i hedhur për konsultim publik nga Ministria e Financave parashikon një skemë tërësisht shtetërore të sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet. Por, sipas siguruesve, një model të tillë nuk e ndjek asnjë prej vendeve të Europës. Edhe në Turqi apo Rumani, të marra si referencë në relacionin shpjegues të projektligjit, skema nuk është tërësisht shtetërore, pasi përfshin shoqëritë private të sigurimeve si palë në shitjen e këtij produkti.
Gjithashtu, sipas siguruesve, skema e sigurimit e propozuar sjell kosto të shtuara dhe të pajustifikuara ndaj qytetarëve. Ata argumentojnë se shoqëritë e sigurimit që operojnë në treg, kanë ekspertizën, burimet njerëzore dhe infrastrukturën e nevojshme për ofrimin e produkteve të sigurimit. Sipas tyre, krijimi i një enti apo shoqërie të re shtetërore sikurse propozohet në projektligj, do të sillte shpenzime të mëdha për ti ngritur nga e para këto kapacitete, shpenzime këto që në fund do ti transferohen qytetarëve.
Një argument tjetër që shtron Shoqata e Siguruesve është se gjetja e programeve të duhura të risigurimit nga risigurues të fuqishëm botëror, do të sillte kosto tepër më të lartë për entin/shoqërinë shtetërore, ndërsa shoqëritë e sigurimeve mbështeten prej vitesh nëpërmjet programeve të risigurimit nga risigurues të fuqishëm botërore dhe kanë aftësi të përballojnë dëme të mëdha. Sipas tyre, këtë gjë e dëshmoi dhe reagimi shumë pozitiv që morën qytetarët që i kishin shtëpitë e siguruara në kompanitë e Sigurimit pas tërmeteve të vitit 2019.
Gjithashtu, Shoqata e Siguruesve vlerëson se përmbajtja e projektligjit ngre pikëpyetje për kushtetutshmërinë e tij, pasi cenon parimin bazë të veprimtarisë së lirë ekonomike, cenon parimin e sigurisë juridike, në lidhje me pritshmërinë legjitime që kanë shoqëritë e sigurimeve në një treg të lirë ekonomik, në kushtet kur shteti ndërhyn duke u kthyer nga Rregullator të tregut në Operator, si edhe cenon interesat e pronarëve të pasurive të paluajtshme/banesave që i kanë të siguruara nga tërmeti pranë shoqërive të sigurimit për periudha disa vjeçare.
Një problem tjetër është se projektligji anashkalon kornizën ligjore të rregullimit të tregut të sigurimeve, parashikuar nga ligji nr.52/2014 “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit”.
Sipas Shoqatës, projektligji gjithashtu favorizon subjekte të huaja në dhënien e konsulencës, menaxhimin dhe administrimin operacional lidhur me marrjen sigurim dhe trajtimin e pagesës të dëmeve etj.
“Kjo mund të jetë bërë nisur edhe nga projekte të mëparshme të inicuara nga konsulentë të huaj të organizmave ndërkombëtarë por që cenon drejtpërsëdrejti interesat e qytetarëve shqiptarë duke e rënduar koston e sigurimit nga tërmeti si dhe njëkohësisht më të duke marrë në konsideratë lënien jashtë të operatorëve të tregut të sigurimeve në Republikën e Shqipërisë rendimin e imazhit të një tregu financiar tashmë të konsoliduar me investitorë edhe shoqëri sigurimi të tregut europian.
Ky veprim përveç të tjerave do cenojë integritetin e tregut të sigurimeve në Shqipëri brenda dhe jashtë vendit si dhe do të ulë interesin e qytetarëve për tu siguruar në sigurimet vullnetare, duke cenuar punën e tregut dhe të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare i cili ka verifikuar shoqëritë e sigurimeve,” shprehen ata.