Kontrolli i Lartë i Shtetit ka audituar institucionet shtetërore lidhur me zbatimin e buxhetimit gjinor, që synon fuqizimin ekonomik të gruas dhe uljen e parabazive mes burrave dhe grave në vendin tonë. Në raportin përfundimtar të auditim performancës “Fuqizimi ekonomik i gruas në Shqipëri”, KLSH evidenton se janë marrë masa të rëndësishme për barazinë gjinore, sic është miratimi i strategjive kombëtare, por edhe rritja e financimeve të dhëna nga buxheti i shtetit. Në proces janë 47 programe, që zbatohen në sektorë të ndryshëm, të evidentuara falë asistencës së UN Ëomen.
Raporti i KLSH kritikon bashkitë për zbatimin e dobët të politikave me bazë gjinore dhe rekomandon trainime për njësitë vendore në këtë drejtim.
“Një nga politikat e miratuara për të zbutur diferencat gjinore midis burrave dhe grave në vendin tonë është Buxhetimi i Përgjigjshëm Gjinor (BPGJ), i cili ka filluar të zbatohet pjesërisht në nivelin kombëtar, ndërsa rezulton ende në nivele të ulëta zbatueshmëria e tij në nivel vendor. Në nivel kombëtar, në vitin 2016, barazia gjinore u përfshi si një nga parimet themelore të Sistemit Buxhetor të Republikës së Shqipërisë, për të siguruar qasjen e barabartë të grave dhe burrave në Shqipëri ndaj të drejtave dhe mundësive dhe u bë pjesë e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (2015 – 2020). Ky parim u përfshi edhe në ligjin nr. 68/2017 “Për financat e vetëqeverisjes vendore”,. theksohet në raport
Nga viti 2015 përqindja e Buxhetimi i Përgjigjshëm Gjinor në buxhetin total qendror është rritur nga 1% ne 9%. Në buxhetin e vitit 2019, problemet e pabarazisë gjinore u përfshinë në 37 programe buxhetore të 14 ministrive, duke prekur disa prej sektorëve më të rëndësishëm si: arsimi, shëndetësia, bujqësia etj. BPGJ ende nuk ka filluar të përfshihet në nivelin vendor në çdo njësi.
Në vitin 2020, Shqipëria publikoi për herë të parë Indeksin e Barazisë Gjinore, ku rezultati i Përgjigjshëm ishte 60.4 pikë (i cili është më i ulët se mesatarja e BE-së) . Sigurimi i integritetit të grave dhe vajzave, nxitja e të drejtave të tyre social ekonomike, mbështetja e grupeve të pa favorizuara, si dhe angazhimi i burrave dhe djemve në të gjitha veprimtaritë që synojnë fuqizimin e grave dhe dhënien e mundësive të barabarta duhet të jenë në qendër të politikave gjinore dhe të ndikojnë në përmirësimin e barazisë gjinore, zhdukjen e varfërisë dhe progresin e vazhdueshëm të shoqërisë sonë.
KLSH ka lënë disa rekomandime për institucionet shtetërore. “Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në bashkëpunim të dakordësojnë plane vjetore trajnimesh, në fuqizimin e kapaciteteve planifikuese, monitoruese dhe vlerësuese të institucioneve qendrore e vendore për programet buxhetore në përgjithësi dhe buxhetimin e përgjigjshëm gjinor. Këto brenda vitit 2023”, theksohet në raport.
Një tjetër rekomandim është që “Ministria e Financave dhe Ekonomisë të hartojë plan veprimi me objektiva e aktivitete konkrete për integrimin e buxhetimit të përgjigjshëm gjinor në Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore, brenda vitit 2023”.
Sipas statistikave të INSTAT –it, referuar tregut të punës, konstatohet se pavarësisht angazhimit të qeverisë nëpërmjet politikave të dedikuara në përfitim të zbutjes së diferencave midis burrave dhe grave, ende ka hapësirë për përmirësime, kryesisht në drejtim të punës së papaguar të grave, por edhe hendekut të pagave.