Nga Aurora Sulce, drejtuese e Fast News Economy
Emigracioni i lartë dhe informaliteti në punësim po “dërrmojnë” skemën e pensioneve në Shqipëri. Teksa rritja e kostos së jetesës apo atë që ndryshe e quajmë inflacioni, po peshon kryesisht tek shtresat vulnerabël, si pensionistët, mundësitë e buxhetit të shtetit për t’i mbështetur, përtej një bonusi sporadik, janë minimale. Kjo pasi deficiti i skemës së pensioneve po vjen duke u thelluar çdo vit, si rezultat i pakësimit të numrit të kontribuesve dhe rritjes së numrit të përfituesve.
Shqipëria prej disa vitesh tashmë po përballet me një valë të lartë emigrimi, kryesisht i moshave të reja, që janë edhe ata që kontribuojnë në skemën e pensioneve. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, popullsia e Shqipërisë më 1 janar 2023 rezultoi 2.761.785 banorë, duke pësuar rënie me 1.1%, krahasuar me 1 janar 2022.
Paralelisht, vendi po përballet me plakje të popullsisë. Sipas INSTAT, më 1 janar 2023 mosha mediane e popullsisë rezulton 38.8 vjeç nga 38.2 që ishte më 1 janar 2022. Ndërkohë që në vitet ’90, ajo ka qenë rreth 27 vjeç.
Nga ana tjetër, informaliteti në tregun e punës mbetet e i lartë, me paga të nëndeklaruara apo edhe me punonjës që janë ende në të zezë. Ky fakt është pranuar nga qeveria, që ka rinisur këtë vit aksionin për formalizimin e këtij tregu.
Elementë të tjerë që kanë futur në ngërç skemën e pensioneve, duke rrezikuar pensionistët e sotëm dhe veçanërisht ata që nesër do të dalin në pension janë edhe detyrimet e papaguara të sigurimeve shoqërore nga institucionet shtetërore të qeverisë qëndrore, por edhe bashkitë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, në maj të këtij viti, detyrimet e prapambetura të qeverisë qendrore për sigruime të papaguara në kohë ishin rreth 160 milionë lekë, ndërsa borxhet e bashkive për këtë qëllim kapërcejnë disa fish më shumë.
Situata e skemes së pensioneve në shifra
Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, pensioni mesatar në Shqipëri është 18 mijë lekë ndërkohë që paga minimale është 40 mijë lekë dhe paga mesatare 66 mijë lekë. Pra, një pensionist merr gjysmën e të ardhurave të atyre me pagë minimale dhe më pak se një të tretën e një të punësuari me pagë mesatare.
Por nëse 18 mijë lekë në muaj duken pak, një pjesë e pensionistëve marrin shumë më pak se kaq. Një pensionist në fshat merr 10.612 lekë në muaj, ndërsa një pensionist në qytet merr mesatarisht 18.901 lekë në muaj.
Por sa është numri i pensionistëve që sot jetojnë me këto të ardhura?
Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, në vitin 2013 merrnin pension 570 mijë persona. Në 2022 numri shkoi në 686 mijë. Pra, plot 116 mijë përfitues më shumë në skemë.
Por sa persona kontribuojnë për të paguar këta pensionistë?
Numri i kontribuesve në skemë në vitin 2013 ka qenë 702 mijë, ndërsa në vitin 2022, 790 mijë. Pra, numri I kontribuesve është rritur me 88 mijë. Shumë më pak sesa numri i pensionistëve.
Raporti kontribues /përfitues në vitin 2013 ka qenë 1.23; ndërsa është përkeqësuar në vitin 2022, në 1.15. Paporti sot po shkon thuajse i barabartë mes të punësuarve dhe pensionistëve duke çuar skemën drejt kolapsit.
E ky kolaps po shmanget falë financimet që i bëhen skemës së pensioneve çdo vit nga buxheti i shtetit.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, në vitin 2013, nga paratë e taksapaguesve jepeshin 40.1 miliardë lekë për skemën e pensioneve, në vitin 2022 janë dhënë 54.5 miliardë lekë. Pra, 14.4 miliardë lekë më shumë.
Me këto shifra, skema e pensioneve po shndërrohet në një rrezik real për buxhetin e shtetit. Dhe jo vetëm për të. Ndërsa pensionistët sot marrin diçka, sado që është shumë pak., të shumtë janë ata që nesër kur të arrijnë moshën, nuk do të marrin asgjë.
Krahasimi i nivelit të pensioneve me rajonin
Problemet me skemën e pensioneve bëjnë që pensionistët shqiptarë të marrin të ardhura shumë më pak se të gjithë homologët e tyre në rajon. Pensioni mesatar në vendet e tjera fqinjë me ne është ndjeshëm më i lartë. Listën e kryeson Mali i Zi, me një pension mesatar prej 359 euro dhe është dukshëm më i lartë se pensioni mesatar në Serbi, Maqedoni të Veriut, Bosnjë e Hercegovinë dhe Shqipëri.
Prej fillimit të vitit 2022, Fondi i Sigurimeve Pensionale dhe Invalidore të Malit të Zi ka harmonizuar tre herë pensionet, gjë që ka bërë që pensionistët malazezë të kenë pensione dukshëm më të larta se pensionet në vendet e rajonit. Aktualisht në Mal të Zi janë 128.000 përfitues pensionesh.
Në vend të fundit në rajon është Shqipëria, me një pension mesatar 18 mijë lekë ose rreth 160 euro (konvertuar me kursin e ditës). Ndërkohë që nuk ka të dhëna për Kosovën.
Çfarë mund të bëhet?
Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se skema e pensioneve ndodhet aktualisht në një situatë problematike, trajtimi i së cilës mund të bëhet vetëm me një reformë të thellë. Për ekspertin Adrian Civici, raporti kontribues-përfitues nuk jep asnjë mundësi që skema e pensioneve të vetëmbahet. “Përveç shkaqeve që lidhen me ndryshimin e sistemit po ndodhin edhe disa ndryshime në raportin mes atyre që kontribuojnë dhe atyre që fitojnë. Një ka të bëjë me kontribuues-përfitues, një kolonë e dytë me pensionet vullnetare dhe një kolonë e tretë që pak përmendet është kapitalizimi i pensioneve që janë disa reforma radikale ka bërë që skema të jetë shumë e varur nga kontributet. Në një vend normal duhet të ishte 3 kontribues me 1 përfitues.
Raporti një me një është një raport që nuk premton asnjë mundësi që kjo skemë të vetëmbahet, por do të jetë e varur nga buxheti i shtetit. Reformat e pensioneve janë më të dhimbshmet në çdo vend. Ajo reformë që ne bëmë synonte luftën e informalitetit sesa një reformë që do ndryshonte rrënjësisht skemën e pensioneve. Edhe përpjekjet për të fuqizuar kolonën e dytë janë një ndihmë për të përmirësuar ekuilibrin”, shprehet Civici.
Për ish drejtorin e Politikave të Zhvillimit, Adrian Civici, nevojitet një reformë radikale, që të synojë eliminimin e informalitetit, zgjerimin e pensioneve vullnetare dhe të mendohet për pensionet e kapitalizuar.
“Nëse duam të bëjmë një reformë që është e vështirë dhe e dhimbshme duhet ta mendojmë në disa plane; të përgatitemi për rritje të moshës së pensionit, kërkohet reformë radikale për të eliminuar informalitetin, dhe nga ana tjetër duhet zgjerohet kolona e dytë e pensioneve vullnetare suplementar dhe të mendohet për kolonën e tretë që janë pensionet e kapitalizuar, që kanë efekt të tjera në skemën e pensioneve. Kemi arritur në një pikë që ose duhet të pranojmë që buxheti sa vjen e rëndohet ose të mendojmë një reformë afatgjatë në kushtet e presionit në demokraci”, argumenton Civici.
Ndërsa për eksperten e ekonomisë, Teuta Nunaj, deficiti i lartë i skemës së pensioneve dhe financimi i tij nga buxheti i shtetit kufizon mundësitë për rritje të pensioneve.
“Rëndimi i skemës së pensioneve dhe energjie elektrike po rëndojnë buxhetin e shtetit. Këto para që mund të shkonin në arsim, shëndetësi, infrastrukturë, fusha të ekonomisë që kanë nevojë po konsumohen për skemën e pensioneve. Qeveria vazhdon ta ruajë, por është e rëndësishme që të trajtojë një kolonë të tretë me pensionet private të detyrueshme. Që këto pensione apo individë që do bëheshin në mënyrë të detyrueshme do ta ndihmonte qeverinë në rast krize ekonomike se këto shtresa do kishin shtesë. Qeveria i ka konstatuar problematikat.
Ajo që është problematikë për pensionistët në zonat rurale po rëndon pagesat e të punësuarve në zonat urbane. Kontribute në zonat urbane janë më të mëdha dhe në ato rural me të ulëta dhe kjo e bën skemën më të zhdrejtë. Këto problematika që krijohen në skemë janë probleme nuk po trajtohen skema e pensioneve nuk po merret seriozisht. Nuk ka rritje të pensioneve se ky defiçit sa vjen dhe rritet, duke u subvencionuar nga buxheti dhe buxheti nuk mund të shpenzojë para plus po bën vetëm indeksimin që është i papërfillshëm në një vlerë minimale”, shpjegon Nunaj.
Edhe për pedagogen e ekonomisë duhet një reformë e thellë, që të zgjidhë të gjitha këto problematika. “Reforma e 2015 është e pjesshme dhe pjesërisht e suksesshme, por që kemi përcaktuar rritjen e viteve të punës dhe rritjen e moshës së daljes në pension. Duhet një reformë që duhet të adresojë dhe zgjidhë probleme. Ne problemin do ta ndjejmë për 20-30 vitet e ardhshme”, deklaron Nunaj.
Qeveria nuk ka dhënë sinjale se do të ketë një reformë të re për skemën e pensioneve. Por ajo që pritet është një përmirësim i shëndetit të financave të kësaj skeme, që do të vijë nga rritja e pagave në administratë, cka automatikisht do të përkthehet me më shumë para të paguara nga kontributet.
Disclaimer:
Ky publikim është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e „Fast Neës Economy by Aurora Sulce“ dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian apo të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.