Thuajse të gjitha vendet europiane po tregohen “agresive” në thithjen e punonjësve të huaj. Pas Gjermanisë, një kërcënim për largimin e fuqisë punëtore vjen nga Kroacia. Këtij vendi i nevojiten rreth 30 mijë punonjës në vit me kualifikime të shkollës së mesme dhe diploma universitare për të arritur objektivat e saj të efikasitetit të energjisë në sektorin e ndërtesave për vitin 2030. Vlerësimi është bërë nga Këshilli i Ndërtimit të Gjelbër të Kroacisë.
Sfidat më të mëdha për arritjen e objektivave të energjisë dhe klimës 2030 janë mungesa e punëtorëve dhe njohuritë e pamjaftueshme të tyre për teknologjitë me efikasitet energjetik. Sot një në pesë punonjës në Kroaci është nga jashtë. Këto janë disa nga pikat kryesore nga “Analiza e status quo-së së sektorit të ndërtimit në Kroaci dhe aftësitë e punëtorëve të ndërtimit në fushën e efikasitetit të energjisë dhe burimeve të rinovueshme të energjisë”, raportuan mediat lokale.
Autorët e tij vlerësuan se për të përmbushur objektivat e efiçencës së energjisë për vitin 2030 në sektorin e ndërtesave, vendi do të ketë nevojë për 24,500 punëtorë të kualifikuar dhe 5,800 arkitektë dhe inxhinierë ndërtimi, mekanike dhe elektrike.
Bashkimi Evropian ka vendosur objektivin e tij të vitit 2030 për emetimet e gazeve serrë në 40% më të ulët se niveli i matur në vitin 1990. Sektori i ndërtesave në Kroaci konsumon 40% të energjisë dhe gjeneron 36% të emetimeve të CO2.
Objektivi i BE-së mund të arrihet duke rritur rinovimin energjetik të stokut ekzistues dhe ndërtimin e ndërtesave të reja pothuajse pa energji (ndërtesat nZEB). Megjithatë, aktivitete të tilla do të kërkojnë një numër më të madh punëtorësh të kualifikuar, duke përfshirë zejtarë dhe sipërmarrës me njohuri dhe ekspertizë të veçantë në përdorimin e teknologjive të reja dhe sigurimin e ndërtimeve me cilësi të lartë.
Sipas analizës, 40% deri në 60% e zejtarëve thanë se nuk dinë mjaftueshëm për teknologjitë me efikasitet energjetik, por janë të etur për të mësuar.
Në të njëjtën kohë, ka interes të pamjaftueshëm për shumicën e programeve të arsimit të mesëm trevjeçar për këtë sektor. Kuotat nuk plotësohen dhe kurrikulat po mbeten prapa nevojave në treg.
Analiza u përgatit si pjesë e projektit CRO skills Reload, zbatuar nga Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit të Universitetit të Zagrebit, Këshilli i Ndërtimit të Gjelbër të Kroacisë, Dhoma Kroate e Tregtarëve dhe Zejtarisë, Agjencia Rajonale e Energjisë Veri dhe shoqata e shkollave të ndërtimit profesional të vendit.