Gratë në Shqipëri janë më të arsimuara se burrat, por më të papuna se ata. Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave vënë në dukje këtë paradoks të tregut të punës. Sipas INSTAT-it, rreth 40% e vajzave dhe grave deri në 30 vjeç kanë një diplomë të arsimit të lartë, ndërsa te meshkujt kjo shifër zbret në rreth 25%, pra një diferencë mjaft e ndjeshme mes dy gjinive.
Ndërkohë norma e papunësisë për meshkujt në Shqipëri, në vitin 2022 u vlerësua në 10.6%, ndërsa për femrat 11.4%. Pra, vajzat dhe gratë janë më të shkolluara se djemtë dhe burrat, por kanë më shumë shanse se meshkujt që të jenë të papuna. Norma e papunësisë i referohet personave që janë në kërkim të një pune, dhe ajo atyre që kanë zgjedhur për arsye të ndryshme që të mos punojnë, siç mund të jenë gratë ose vajzat shtëpiake.
Por, hendeku dhe “diskriminimi” gjinor bëhet edhe më i theksuar nëse shifrat i vlerësojmë në bazë edhe të moshës. Këto statistika publike sinjalizojnë se punëdhënësit, qofshin në administratën publike, qofshin në atë private preferojnë të punësojnë gra ose vajza deri në moshës 30 vjeçare. Për grupmoshën 15 deri në 24 vjeç, norma e papunësisë mes meshkujve dhe femrave mbetet lehtë në favor të meshkujve.
Mes 25 dhe 29 viteve ndërkohë, meshkujt kanë më shumë gjasa të jenë të papunë se femrat, ndërkohë që pas moshës 30 vjeçare, diferenca është e madhe. Për grupmoshën 30-64 vite, norma e papunësisë për meshkujt fiksohet pranë 7.6%, ndërsa te femrat pranë 11.7%, çka konfirmon paradoksin; pas të 30-tave, femrat preferohen më pak nga punëdhënësit ose nga tregu i punës, edhe pse janë më të arsimuara se meshkujt, sa i përket arsimit të lartë.