Nga Aurora Sulce, drejtuese e Fast News Economy
Sezoni turistik ka nisur mbarë këtë vit. Cdo ditë hasim grupe të shumta turistësh që vizitojnë Tiranën apo të tjerë që kanë “pushtuar” plazhet e jugut. Promovimi që iu bë vendit tonë në mediat ndërkombëtare si një destinacion atraktiv për t’u zbuluar është shoqëruar me rritje të ndjeshme të fluksit të turistëve, një pjesë e të cilëve janë nga vendet e zhvilluara europiane, si Franca, Spanja etj.
Vitin e kaluar, Shqipërinë e vizituan 5.7 milionë turistë, shifër që pritet të kapërcehet këtë vit. Por shtimi i fluksit të turistëve është në vetvete një sprovë për sektorin dhe operatorët turistikë, të cilët duhet të garantojnë standardin e cilësisë. Thënë ndryshe, të ofrojnë produkt turistik dhe shërbime në nivelin e këtyre turistëve dhe të krijojnë atë që quhet “përshtypja e parë pozitive”. Në këtë mënyrë, këta turistë do të rikthehen dhe do të sjellim me vete edhe të tjerë.
Por kjo nuk do të jetë e lehtë për t’u arritur. Vecanërisht në kushtet kur tregu i punës përballet me mungesën e punonjësve dhe kryesisht, atyre të kualifikuar. Bizneset në sektorin e turizmit po vuajnë mungesën e fuqisë punëtore të të gjitha niveleve, duke filluar nga sanitaret, kamarierët, banakierët e deri tek menaxherët e hoteleve dhe resorteve. Kjo ndodh në një kohë kur gjithmonë e më shumë turistë “trokasin” në dyert e tyre.
Nga ana tjetër, sektori përballet me një nivel të lartë informaliteti. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, në maj të këtij viti, që është edhe statistika e fundit zyrtare, nga mbi 705 mijë të huaj që hynë në vend, vetëm 57 mijë e 958 apo thënë ndryshe 8.2 për qind e totalit u akomoduan. Për pjesën tjetër, që i kapërcen 640 mijë persona mundësitë janë dy: ose të kenë qenë kalimthi në vend ose të jenë akomoduar në struktura informale.
Ky nivel kaq i lartë i informalitetit, që po “lulëzon” edhe nga platformat e Booking dhe AIRNB, dëmton bizneset e ndershme të hoteleri-turizmit, që paguajnë taksat dhe përpiqen të rrisin pagat e punonjësve, për të frenuar largimin e tyre.
Problemi i tretë, por jo më pak i vogël është zhvlerësimi i euros. Në turizëm kontratat dhe prenotimet bëhen që një vit më parë, periudhë kur euro ka qenë në nivelet e rreth 120 lekëve, teksa ka zbritur aktualisht në 100 lekë. Operatorët turistikë shpjegojnë se vetëm nga zhvlerësimi i monedhës europiane humbja përllogaritet në rreth 20%.
Ndërkaq sektori përballet edhe me sfida të tjera, që kanë të bëjnë me infrastrukturën, menaxhimin e mjeteve, paketimin e ofertës turistike etj, të cilat janë edhe specifike sipas zonave.
Në këto kushte, të përmbushësh pritshmëritë europiane të turistëve nuk do të jetë e lehtë. Këtë vit, teksa sezoni ndodhet në kulmin e tij, nuk mund të bëhet më asgjë. Por për vitet e ardhshme, qeveria duhet të bëhet bashkë me biznesin, për të mos e lënë atë të vetëm dhe të ekspozuar përballë problemeve.
Në të kundërt, nuk do të kemi më shifra turistësh me miliona dhe as investime private. Por tregun turistik të Europës, që kishim shansin ta kapnim, “do t’ua falim” konkurrentëve tanë, si Mali i Zi.