Nga Aurora Sulce, drejtuese e Fast News Economy
Euro zbriti javën e kaluar nën 104 lekë, duke shënuar një rekord të ri në minimum. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane tregtohet me 103.3 lekë, duke u zhvlerësuar me 11.7% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Pikiata e euros ka muaj që ka nisur, por po bëhet më e fortë në këtë periudhë, për shkak të efektit sezonal. Ndodhemi në kulmin e sezonit turistik dhe pritshmëritë janë që numri i turistëve të huaj dhe prurjet valutore që ata do të sjellin, do të jenë në nivele të pashënuara më parë. Kjo do të thotë që euro do të shënojë rënie të tjera.
Ajo që po ndodh tashmë që prej fillimit të 2023-shit me zhvlerësimin e euros nuk është më një cështje që ka të bëjë vetëm me tregun e këmbimit dhe kërkesë-ofertën në të. Por po shndërrohet në një shqetësim që prek të gjithë ekonominë. Kjo pasi më të goditurit nga rënia e fortë e monedhës europiane janë eksportuesit.
Eksporti është pjesa më e shëndetshme e një ekonomie, vecanërisht për një ekonomi si ajo shqiptare, e varur thuajse tërësisht nga importi. Biznesi vendas, prodhues dhe eksportues po humbet miliona euro, teksa duhet të ishte pikërisht kjo kategori e sipërmarjes që duhet mbështetur për të pasur një ekonomi të fortë dhe më pak të ekspozuar nga importet.
Biznesi ka dhënë alarmin se shumë kompani do të ndërpresin kontratat me partnerët ndërkombëtarë, pasi humbet nga euro llogariten në 20% dhe po bëhen të papërballueshme. E duket se në këtë situatë biznesi është i vetëm.
Banka e Shqipërisë e ka ripërsëritur qëndrimin e saj për të mos ndërhyrë në tregun e këmbimit, teksa qeveria ndërmorri dy nisma në ndihmë të eksportuesve dhe kryesisht industrisë fason: rimbursimin e TVSH brenda tre ditëve dhe ngrirjen e pagesës së tatim-fitimit për 1 vit.
Masa këto që krijojnë likuiditet tek këto biznese dhe padyshim janë të mirëpritura, por nuk e zgjidhin problemin. Ajo që nevojitet është një plan konkret ndihme për bizneset eksportuese, nëse qeveria vërtet do ta shpëtojë këtë kategori biznesi ose në të kundërt, ta lërë në mëshirë të EURO-s.