Aurora Sulçe, drejtuese e Fast News Economy
Euro është konsideruar si valuta “e fortë” që në momentin kur u hodh për herë të parë si para fizike në qarkullim, në janar të 2002. Por tani ajo nuk është më e tillë. Rëniet e vazhdueshme kanë bërë që askush të mos vendosë më bast për të ardhmen e saj. Kjo duke pasur parasysh minimumet e reja historike, që po shënohen çdo ditë.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, euro e mbylli javën në kuotën e 105.62 lekëve, një rekord i ri negativ. Që prej fillimit të qershorit, euro është zhvlerësuar me 3.9%, ndërsa kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë, rënia vlerësohet në 12.1%.
Por euro nuk është monedha e vetme që po humbet pikë kundrejt lekut shqiptar. Kursi zyrtar i Bankës së Shqipërisë tregon qartazi se euro po merr me vete dhe valutat e tjera kryesore. Kështu, dollari e mbylli këtë javë në kuotën 98.07 lekë, niveli më i ulët që prej gushtit të vitit 2011. Paundi Britanik zbriti në një minimum të ri historik, në nivelin 122.97 lekë. Franga Zvicerane gjithashtu, pësoi rënie të mëtejshme në 108.86 lekë, niveli më i ulët që prej qershorit të vitit 2019.
Një situatë e tillë ka ngritur pikëpyetje të forta mbi atë që po ndodh në tregun e këmbimit valutor. Sipas ekspertëve, forcimi i lekut kundrejt euros dhe monedhave të tjera shpjegohet me një sasi shumë të madhe të valutave në qarkullim.
Por nga ana tjetër, nuk përjashtohet edhe efekti psikologjik. Kjo në kushtet kur dihet tashmë që gjatë verës euro pëson rënie, për shkak të valutës që sjellin me vete turistët e huaj dhe emigrantët që kthehen në atdhe me pushime. Kjo krijon pritshmëri tek agjentët ekonomikë dhe përcakton edhe vendimet e tyre financiare, një pjesë e të cilëve po thyejnë euro në treg për të shmangur rënien e mëtejshme. Automatikisht një veprim i tillë rrit edhe më shumë sasinë e monedhës europiane në qarkullim dhe ushtron presion në tkurrjen e mëtejshme të vlerës së saj.
Në këto kushte, është e lehtë të parashikosh se çfarë do të ndodhë gjatë muajve të ardhshëm. Ajo që është e vështirë, është parashikimi sesa do të zbresë ende euro dhe nëse do të kemi një fuqizim të saj në shtator, pas përfundimit të sezonit veror.
Këshilla më e mirë në këto raste, ajo që vlen gjithmonë në periudhat e tronditjes së kursit të këmbimit është që të gjitha veprimet financiare të kryhen në monedhën që ke të ardhurat. Nëse të ardhurat i ke në lek, atëherë kredinë dhe çdo transaksion tjetër kryeji në lek. Nëse të ardhurat i ke në euro, zgjidh monedhën europiane për huanë apo veprimet financiare. Në këtë mënyrë do të jesh i mbrojtur nga luhatjet e kursit të këmbimit, që duket se kanë hyrë në një trajektore që nuk i dihet fundi.