Një grua në Shqipëri, në përditshmërinë e saj merret me shtëpinë, pazaret, gatimin, rritjen e fëmijëve dhe cdo përkujdesje që kërkojnë anëtarët e tjerë të familjes. Një angazhim që i merr më shumë se 5 orë në ditë. Në Shqipëri kjo konsiderohet normale, por që në vendet e tjera dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare është punë e papaguar, nga e cila jo vetëm gruaja, por shoqëria dhe ekonomia e vendit pësojnë humbje të mëdha.
Kjo nuk ndodh me burrat, përgjegjësitë e të cilëve në mbarëvajtjen e rritjes së fëmijëve apo angazhimeve të tjera familjare kërkojnë shumë më pak kohë.
Ky është një ndër përfundimet e studimit “Hartimi i argumentit për investimin në kujdesin universal pa pagesë për fëmijët në Shqipëri”. Studimi bën një analizë të kostove të kujdesit për fëmijët, efekteve mbi të ardhurat fiskale dhe cenueshmërisë shumëdimensionale me në qendër gjininë dhe është realizuar nga UN Women, që është organizata e Kombeve të Bashkuara e përkushtuar për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave.
Studimi evidenton se në Shqipëri, gratë kanë nevojë për kujdes të përballueshëm për fëmijën, në mënyrë që të kenë mundësi të ndjekin mundësi dinjitoze për punësim. Ky është element kyç për forcimin e sigurisë ekonomike dhe sigurisë së grave. Shpërndarja e përgjegjësive të kujdesit në Shqipëri është jashtëzakonisht e pabarabartë, ku pjesa më e madhe e kujdesit jepet në familje dhe kryesisht nga gratë si punë e papaguar.
Puna e papaguar përbën rreth 60% të PBB-së në Shqipëri . Vlera e kësaj pune është 84 dollarë (71 euro) bazuar në pagën mesatare mujore prej 390 dollarë (330 euro). Kur merret në konsideratë se 35% e rreth 1,08 milion grave në Shqipëri janë të punësuara, ekonomia shqiptare po humb një potencial prej 32 milionë dollarë (27 milion euro) çdo muaj. Kjo përkthehet në një shumë prej 385 milionë dollarë (324 milion euro) në vit.
“Pjesa e punës së papaguar në ditë zë 21,74 për qind të kohës për gratë dhe vetëm 3,47 për qind për burrat, që do të thotë se gratë nuk paguhen për rreth çerekun e punës së kryer, qoftë kjo në familje apo në vendin e punës.
Sa i përket punës së papaguar riprodhuese, burrat shqiptarë kontribuojnë vetëm 14,2% të të gjithë punës së papaguar të kujdesit, ndërsa gratë kalojnë më shumë se pesë orë çdo ditë me punë të papaguar shtëpie1. Më shumë se një e treta e grave në Shqipëri (37 për qind) japin kontribut në bizneset familjare. Barra më e madhe është raportuar nga gratë në Shqipëri (72 për qind kundrejt 61 përqind).
Norma e pjesëmarrje së grave dhe burrave në fuqinë punëtore (2019) ishte 72,1 për qind kundrejt 88,3 përkatësisht me një dallim të konsiderueshëm prej 16,2 për qind ndërmjet burrave dhe grave. Në Shqipëri, 75 deri 80 për qind e grave kanë raportuar më shumë vështirësi krahasuar me periudhën përpara pandemisë lidhur me përmbushjen e nevojave bazë dhe mbulimin e shpenzimeve bazë, si pagesën e qirasë, shërbimeve komunale dhe ushqimit, si pasojë e humbjes së burimeve jetësore si remitancat apo të ardhurave bujqësore16. 69 për qind e grave në Shqipëri janë përballur me shkallë më të lartë vështirësish psikologjike krahasuar me burrat”, thekson studimi.
Përballë një situate të tillë, edhe fondet që alokohen nga qeveria për kujdesin shoqëror janë thuajse të papërfillshme kundrejt nevojave reale. Shpenzimet për shërbimet e kujdesit shoqëror përbëjnë vetëm rreth 3% të programit të përgjithshëm buxhetor për mbrojtjen sociale (përfshirë fëmijët). “Përveç mbizotërimit të femrave në punën e papaguar të kujdesit, gratë janë të mbipërfaqësuara edhe në fushën e punës së paguar të kujdesit, që në përgjithësi karakterizohet nga paga të ulëta dhe kushte të paqëndrueshme”, thekson studimi.
Por situata është edhe më negative për ato gra që punojnë në të zezë ose ndryshe në informalitet të plotë dhe në vendin tonë, ky problem është shumë i mprehtë.
Studimi i Un Women evidenton me detaje problematikat dhe se ku duhet ndërhyrë, duke dhënë edhe sugjerimet për qeverinë shqiptare dhe gjithë aktorët e përfshirë në fuqizimin e grave dhe vajzave dhe rritjen e kujdesit shoqëror. Kjo pasi përmirësimi i mirëqenies së fëmijëve, dhe veçanërisht fëmijëve të varfër, lidhet ngushtë me fuqizimin e rolit të grave dhe vajzave që përbëjnë gjysmën e popullsisë së Shqipërisë.
“Në këtë kuadër, pengesa që nuk i lejon gratë shqiptare të kenë akses në tregun e punës është mungesa e kujdesit të mjaftueshëm për fëmijën (strukturat parashkollore) dhe shërbimeve shoqërore për kategoritë në nevojë, përfshirë të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara.
Pakësimi i kujdesit parashkollor dhe mungesa e strukturave të shërbimeve shoqërore të projektuara për të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuar ka rezultuar në rritjen e numrit të grave në moshë pune të përfshira në punë kujdesi të papaguar dhe që mbeten jashtë tregut të punës për shkak të përgjegjësive të tyre familjare lidhur me fëmijët, apo të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara.
Hartimi i politikave dhe programeve që krijojnë kujdes universal për fëmijën, ose mbrojtje sociale për të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara, do të lejonte pjesëmarrjen e grave në veprimtaritë e punësimit dhe do të ulte varfërinë duke përforcuar nivelin ekonomik të familjes”, thekson studimi.
Ekspertët sugjerojnë se është momenti i duhur për rishqyrtimin e prioriteteve ekonomik dhe që Qeveria e Shqipërisë të investojë në ngritjen e ekonomisë njerëzore feministe që funksionon për të gjithë qytetarët, përfshirë gratë më të varfra dhe grupet e margjinalizuara.
Studimi propozon gjatë veprimet e mëposhtme për eliminimin e hendekut ndërmjet të pasurve dhe të varfërve dhe për të ndihmuar në realizimin e të drejtave të punëtorëve/ofrueseve të kujdesit të papaguar, duke pranuar rëndësinë e kujdesit për mirëqenien e shoqërisë dhe ekonomisë në Shqipëri.