31 korriku është afati i fundit për bizneset për të dorëzuar tre dokumente të rëndësishme që janë pasqyrat financiare vjetore, raporti i ecurisë së veprimtarisë dhe ai i auditimit. Qendra Kombëtare e Biznesit ka publikuar në faqen e saj zyrtare apelin për sipërmarrjen, për respektimin e këtij afati ligjor.
Kjo do të thotë se bizneset tashmë kanë edhe dy muaj kohë për të përgatitur dhe dorëzuar zyrtarisht këto dokumente.
“Sjellim në vëmendje se, bazuar në parashikimet e nenit 43 dhe 46 të ligjit nr. 9723/2007 “Për regjistrimin e biznesit”, i ndryshuar, brenda datës 31 korrik 2023.
Subjektet e detyruara nga ligji duhet të depozitojnë pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit dokumentet e mëposhtme: Pasqyrat financiare, raportin e ecurisë së veprimtarisë, raportin e auditimit të mbajtur sipas kërkesave ligjore, në raste.
Kujdes! Pavarësisht formës së tyre ligjore, depozitimin e akteve të mësipërme duhet ta kryejë çdo subjekt i regjistruar në Regjistrin Tregtar, kur këto subjekte kanë detyrimin e hartimit të tyre.
QKB-ja mbetet e angazhuar në informimin e subjekteve tregtare për përmbushjen e detyrimeve te tyre ligjore dhe në ofrimin e asistencës se nevojshme për çdo paqartësi, nëpërmjet kanaleve te ndryshme te komunikimit, por edhe përmes numrit të kontakt +355 42 250 066” thuhet në njoftimin e QKB-së.
Mosdepozimi në kohë i dokumenteve nga ana e bizneseve shoqërohet me penalitete. Depozitimi prej disa vitesh po bëhet online duke kaluar përmes sistemit të e-albania.