AKADEMIK PROF. ANASTAS ANGJELI
Me simbolikën shumë domethënëse të Hiroshimës dhe prezencën e Presidentit të Ukrainës, Zelenski, për tri ditë radhazi (19-21 Maj), zhvilloi takimin vjetor Samiti I G7-tës, në Hiroshima të Japonisë. Dhe kjo, natyrisht, jo rastësisht.
Kjo, sepse, politika, si një aktivitet njerëzor, që ka synim marrjen e vendimeve të detyruara kolektive, vështirë se mund të konceptohet pa simbolet dhe zgjimin e kujtesës… Simbolet politike thjeshtëzojnë dhe përmbledhin strukturat dhe praktikat politike, i japin politikës si aktivitet një lidhje me ndjenjat dhe emocionet kolektive duke siguruar në këtë mënyrë një kohezion social, që siguron dhe garanton mbështetjen popullore, pa të cilën asnjë politikë nuk mund të ketë vlerë.
Mbështetja popullore dhe miratimi masiv i politikave janë thelbësore për çdo sistem politik, pavarësisht nga forma dhe struktura e tij. Sepse në analizë të fundit politika është një veprimtari që merr kuptim nga simbolikat, por nuk mund të marrë kurrë thelb në qoftë se nuk arrihet miratimi i gjerë. Lidhja e ndërsjellë midis simbolikës politike dhe miratimit politik është e qartë nga zgjedhja që bënë mikpritësit japonezë për të zhvilluar takimet e Samitit të G7-ës në datat 19-21 maj në Hiroshima.
Në vendin tragjik që së bashku me Nagasakin janë shndërruar në provë historike të shkatërrimit total që mund t’i vijë njerëzimit nga përdorimi i armëve bërthamore. Dhe një paralajmërim simbolik i tillë merr një vlerë akoma edhe më të madhe duke marrë parasysh kontekstin e periudhës, të cilën po përjetojmë. Luftë ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës ka hyrë në vitin e dytë të saj dhe pasojat janë katastrofike jo vetëm për dy vendet e përziera direkt në konflikt, por për të gjithë Evropën dhe duke marrë parasysh ndërvarësinë ekonomike, edhe për të gjithë botën.
Në radhë të parë janë humbjet e mijëra jetëve njerëzore nga të dyja palët, si civilë ashtu edhe ushtarakë, si ukrainas ashtu edhe rusë.
Së dyti, janë implikimet ekonomike të konfliktit. Implikime si për të dyja vendet që po luftojnë ashtu edhe për pjesën tjetër të Evropës. Rritja e inflacionit, rritja e papunësisë, rritja e çmimeve të produkteve energjetike, ndërprerja e zinxhirit global të furnizimit me lëndë të para dhe produkte ushqimore (drithërat), kriza ushqimore etj., janë vetëm disa nga pasojat ekonomike të konfliktit.
Së treti, janë implikimet social-politike. Rritja e ideologjive të ekstremit të djathtë dhe të nacionalizmit, të ksenofobisë, të etnocentrizmit. Rritja e shpenzimeve ushtarake dhe një lloj gare e re armatimesh që po vihet re në nivel global. Të gjitha këto zhvillime e bëjnë më eminente se kurrë nevojën për zgjidhje politike të konfliktit, zgjidhje e cila mund të arrihet vetëm nëpërmjet bashkëpunimit. Sigurisht që për një gjë të tillë ka nevojë për mirëkuptim nga të dyja palët (dhe jo vetëm-por dhe ngatë gjitha palët) dhe për momentin kjo gjë duket e pamundur kur vihet re një mos angazhim i Rusisë drejt një zgjidhjeje politike e diplomatike të konfliktit.
ASHPËRSIM I “LUFTËS SË SANKSIONEVE”
Kjo gjë shtyu edhe aleatët e G7-ës të forcojnë me tej bashkëpunimin midis tyre, të ndihmojnë ushtarakisht, ekonomikisht dhe politikisht Ukrainën. Gjë që do të thotë që krahas ndihmës në armatime dhe në burime financiare vendet e G7-tës ritheksuan angazhimin e tyre për të vazhduar me forcë politikën e sanksioneve të rrepta ndaj Rusisë, si mjet i “luftës paqësore”, jo me armë dhe humbje jetë njerëzish, me synim detyrimin e kësaj të fundit për t’i dhënë një zgjidhje politike këtij konflikti.
Liderët e vendeve të G7-ës gjatë ditës së parë të Samitit deklaruan se do të ndërmarrin një paketë të re sanksionesh që synojnë “të privojnë Rusinë nga teknologjitë, pajisjet industriale dhe shërbimet e G7 që mbështesin përpjekjet e saj për luftë”.
Sot “ne riafirmuam angazhimin tonë për të bërë një front të bashkuar kundër luftës së paligjshme, të pajustifikuar dhe të paprovokuar të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”, thanë krerët e shteteve dhe qeverive të Grupit të Shtatë vendeve më të mëdha të industrializuara në botë (Shtetet e Bashkuara, Japonia, Gjermania, Franca, Britania, Italia, Kanadaja), në komunikatën e përbashkët që u publikua pas takimit të ditës së parë kushtuar Ukrainës.
Sipas deklaratës, masat e reja të G7 përfshijnë kufizime në eksportet e mallrave “të nevojshme për Rusinë në fushën e betejës”, si dhe shënjestrimin e subjekteve të akuzuara për dërgimin e materialeve në front në emër të Moskës. SHBA kishte vendosur tonin përcaktues dhe kishte paralajmëruar për masa të tilla duke njoftuar mëngjesin e ditës së parë të punimeve për ndërmarrjen e sanksioneve të reja kundër Moskës në mënyrë që “të kufizohet ndjeshëm aksesi i Rusisë në produktet thelbësore për aftësitë e saj ushtarake”. Qëllimi i politikës së sanksioneve është rritja e presionit ekonomik kundër Rusisë dhe vështirësimi i financimit të makinerisë ruse të luftës.
Një politikë e tillë bazohet në parashikimin se Rusia nga moment që do t’i bëhet sa më e vështirë të jetë e mundur qasja te mallrat që luajnë rol në fushën e luftës, do të detyrohet t’i japë fund konfliktit. Sanksionet e reja synojnë më konkretisht shkëputjen nga eksportet amerikane të rreth 70 kompanive dhe organizatave nga Rusia dhe vende të tjera. Gjithashtu, do të sanksionohen edhe 300 persona, sipërmarrje dhe organizata, shoqëri avionësh dhe anijesh.
Mbretëria e Bashkuar nga ana e saj njoftoi sanksione të reja që synojnë sektorin minerar të Rusisë, duke përfshirë industrinë fitimprurëse të diamanteve, e cila i siguron Rusisë miliarda dollarë çdo vit. Gjithashtu Britania do të ndalë importin e bakrit, aluminit dhe nikelit nga Rusia.
Në deklaratën e ditës së parë, G7 gjithashtu u zotua të “kufizojë tregtinë dhe përdorimin e diamanteve të minuara, të përpunuara ose të gjetura në Rusi”, kryesisht duke përdorur teknologjitë e gjurmimit. Këto sanksione tregojnë se “G7 mbetet e bashkuar kundër kërcënimit të Rusisë dhe e palëkundur në mbështetjen e saj për Ukrainën”, tha nga ana e tij Kryeministri britanik, Rishi Sunak. Liderët e G7 deklaruan gjithashtu se kishin siguruar që Ukraina do të ketë mbështetjen fiskale që i nevojitet këtë vit dhe në fillim të vitit 2024.
ZELENSKY-SURPRIZA E SAMITIT
Presidenti i Ukrainës, Volodymir Zelensky, pas një turi vizitash në disa vendet kryesore të Europës (Francë, Britani, Itali) ishte surpriza e këtij samiti duke dominuar mediatikisht ditën e dytë të punimeve. Prezenca dhe takimet që ai zhvilloi u shërbeu dy funksioneve.
E para, nga ana simbolike tregoi vendosmërinë politike të Ukrainës (në dallim nga Rusia) për të kërkuar një zgjidhje politike të konfliktit (vendosmëri politikë që ecën paralelisht me vendosmërinë ushtarake). Funksioni i dytë ishte më pragmatik. Kishte të bënte me tentativat diplomatike për të bindur aktorë të rëndësishëm të politikës botërore si India dhe Brazili, të cilët nuk kanë dënuar deri tani politikën e Rusisë duke mos marrë pjesë në sanksionet e vendosura nga vendet perëndimore.
E treta, gjatë takimeve të zhvilluara me të gjithë liderët e vendeve, Zelensky ritheksoi qëndrimet e tij të njohura për më shumë ndihmë ushtarake, si dhe për shtimin e presioneve politike dhe ekonomike ndaj Rusisë.
REAGIMI I KINËS DHE I RUSISË
Një çështje tjetër e rëndësishme e diskutuar gjatë ditëve të samitit ishte edhe qëndrimi i Kinës, jo vetëm në lidhje me luftën në Ukrainë, por edhe me gjithë politikën e saj rajonale dhe çështjen e Tajvanit. Kështu, në deklaratën e tyre, udhëheqësit e G7 i bënë thirrje Kinës që të ushtrojë presion ndaj Rusisë për të ndaluar pushtimin e saj në Ukrainë, ndërsa theksuan se ata duan marrëdhënie “konstruktive dhe të qëndrueshme” me Pekinin.
Përmbajtja e deklaratës është fryt i negociatave midis SHBA-së, e cila propozon një qëndrim më të ashpër mes tensioneve në rritje me Kinën – dhe vendeve të tjera evropiane, të cilat këmbëngulin se çdo klimë “konfrontimi” me vendin gjigant aziatik duhet të shmanget.
“Është e nevojshme të bashkëpunohet me Kinën, duke pasur parasysh rolin e saj në komunitetin ndërkombëtar dhe madhësinë e ekonomisë së saj, në sfidat globale si dhe në fushat me interes të përbashkët (…) Ne e ftojmë Kinën të angazhohet në dialog me ne, duke përfshirë në forumet ndërkombëtare, për çështje të tilla si kriza klimatike dhe kriza e biodiversitetit”, theksohet në deklaratë. Vendet e G7 nënvizuan gjithashtu “kundërshtimin” e tyre ndaj “militarizimit” të rajonit të Azisë-Paqësorit, duke këmbëngulur se nuk ka “asnjë bazë ligjore” për “pretendimet detare të shtrira” të Kinës në Detin e Kinës Jugore.
Për çështjen e Tajvanit, ata përsëritën thirrjen e tyre për “një zgjidhje paqësore” të konfliktit me Kinën, e cila e konsideron ishullin një nga provincat e saj, të cilën ende nuk e ka ribashkuar me pjesën tjetër të territorit të saj pas përfundimit të luftës civile në 1949.
Nga ana e tyre, Kina dhe Rusia nuk vonuan t’u përgjigjen zhvillimeve të Samitit. Kina shprehu kundërshtimin e saj ndaj komunikatës së përbashkët të G7, duke e akuzuar atë për shpërfilljen e shqetësimeve të saj, për ndërhyrje në punët e saj të brendshme, duke përfshirë çështjen e Tajvanit. Për qëndrimet dhe deklaratat e këtij Samiti, Kina iu ankua organizatorëve të tij, Japonisë.
Ndërsa, ministri i Jashtëm Rus, Sergei Lavrov, komentoi se vendimet e marra në G7 synojnë “kufizimin e dyfishtë” të Rusisë dhe Kinës, duke përsëritur pretendimin e Rusisë se Perëndimi po përdor Ukrainën si një “mjet” për të arritur një disfatë strategjike për Moskën. “Çështja u ngrit me zë të lartë dhe hapur – për të mposhtur Rusinë në fushën e betejës (…) dhe për ta eliminuar atë si një konkurrent gjeopolitik”, deklaroi Lavrov.
SI PËRFUNDIM…
Samiti duket se nga ana e qëndrimeve dhe komunikimit politik ia arriti qëllimin të tregojë një front të bashkuar perëndimor në krah të Ukrainës. Nga ana e saj, Ukraina siguroi mbështetje të mëtejshme, qoftë ushtarake, qoftë ekonomike dhe politike. Reagimet e menjëhershme nga ana tjetër e Rusisë dhe Kinës tregojnë në mënyrë të qartë ndryshime radikale në qëndrime ndërmjet tyre dhe vendeve të G7-ës, por edhe ndërmjet tyre dhe perëndimit në tërësi.
Sigurisht që arritja e paqes duket se është akoma shumë larg dhe se konflikti ndoshta ka hyrë në fazën më të rrezikshme të tij. E ardhmja duket se përmban rreziqe, të cilat mund të kapërcehen vetëm nëse të gjitha palët tregojnë qetësi dhe vullnet politik për uljen e tensioneve. Simboli i Hiroshimës, si vendi që më shumë se cilido vend tjetër në glob tregon rrezikun që i kanoset njerëzimit nga vetvetja, duket sikur thërret nga thellësia e historisë për përmbajtje. Le të shohim në qoftë se do të dëgjohet.