Qytetarët dhe bizneset që kanë kursime në euro nuk po preferojnë të këmbejnë në këtë moment të pikiatës së saj, por po e mbyllin valutën në banka. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se depozitat në monedhën europiane arritën në fund të tremujorit të parë të këtij viti në 6.42 miliardë euro, duke shënuar një rritje prej 27 milionë euro kundrejt shkurtit. Ndërsa kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë, rritja rezulton 16.8%.
Një ecuri e tillë e depozitave në euro dëshmon për flukset e mëdha valutore që po hyjnë në ekonomi. Një tjetër fakt që konfirmon një përfundim të tillë është ecuria e depozitave në lek, të cilat janë në
Në periudhën pas pandemisë, depozitat në euro në sektorin bankar shqiptar janë rritur me rreth 45%. Pothuajse tre të katërtat e depozitave në euro i takojnë individëve.
Gjatë muajve të fundit, po vërehet një rritje në segmentin e depozitave me afat në euro. Kjo mund të shpjegohet me rritjen e normave të interesit, që i ka shtyrë depozituesit të vendosin më shumë fonde në depozita me afat.
Rritja e depozitave në euro po kushtëzon edhe rritjen e mëtejshme të euroizimit të bilanceve të sektorit bankar shqiptar, pavarësisht përpjekjeve të Bankës së Shqipërisë për ta frenuar këtë tendencë me strategjinë e deeuroizimit. Zgjerimi i depozitave në euro favorizon si pasojë edhe një rritje të kreditimit të ekonomisë në euro, tendencë që është bërë edhe më dominuese në tremujorin e parë të këtij viti.
Sipas Bankës së Shqipërisë, rreth 58% e kredisë për tremujorin e parë është dhënë në monedhën euro. Euroizimi në rritje i sektorit financiar është në vetvete simptomë e një ekonomie reale gjithnjë e më të euroizuar.
Efektet e prurjeve të larta valutore në ekonominë shqiptare po shfaqen gjithnjë e më të forta edhe në kursin e këmbimit valutor. Gjatë muajit prill, euro ka prekur nivelet më të ulëta të shënuara ndonjëherë që prej hedhjes së saj në treg për herë të parë si monedhë fizike në vitin 2002. Monedha europiane këmbehet me 111 lekë, duke shënuar një rënie prej 7.6% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.