Holanda është vendi i Bashkimit Europian, me përqindjen më të madhe të punonjësve në distancë, sipas një studimi të ri.
Pandemia e COVID-19 pa një ndryshim rrënjësor në numrin e njerëzve që punojnë në distancë, me kufizime që detyrojnë kompanitë të miratojnë politika jo të rrepta të punës.
Remote, një kompani botërore e burimeve njerëzore, ka përcaktuar rritjen e punës në distancë në të gjithë Bashkimin Europian, nga fillimi i pandemisë në 2020 deri në fund të 2022.
Studimi tregoi se mesatarisht në të gjithë BE-në, vitin e kaluar, 30% e punëtorëve punonin rregullisht nga shtëpia, qoftë plotësisht në distancë, ose në një model hibrid, krahasuar me pak më shumë se 15% në Mbretërinë e Bashkuar.
Duke përdorur të dhëna nga Eurostat dhe Statista, Remote zbuloi gjithashtu se 65% e të punësuarve në Holandë, punonte të paktën pjesërisht në distancë në vitin 2022.
Luksemburgu renditet në vendin e dytë me 54.4% dhe Suedia e treta me 51.8%.
Më poshtë paraqiten 10 vendet kryesore me përqindjen më të lartë të punonjësve në distancë në BE.
Të dhënat e përdorura u mblodhën në gusht 2022. Remote bëri gjithashtu parashikime për përqindjen e punëtorëve në distancë për pesë vendet kryesore të BE-së për vitin 2023.
Kompania parashikon se gati 10% më shumë punonjës, do të punojnë në distancë këtë vit në Holandë, duke e çuar totalin në 73.5%, ndërsa në Luksemburg, punonjësit në distancë ose hibride, do të rriten në 60.6% dhe në Suedi, 56.4%.
Irlanda parashikohet të shohë një rritje të madhe, në 61.6%, si dhe Belgjika, në 56.1%.
Kryeqyteti europian i punonjësve në distancë
Sipas të dhënave, përqindja e punënjësve në distancë në Holandë është katër herë më e lartë se në Mbretërinë e Bashkuar, ose në Shtetet e Bashkuara.
Verën e kaluar, Parlamenti holandez miratoi legjislacionin për të vendosur punën nga shtëpia si një e drejtë ligjore, duke e bërë Holandën një nga vendet e para që ofron elasticitetin e punës në distancë me ligj.
Me legjislacionin e ri, punëdhënësit duhet të shqyrtojnë kërkesat për punë në distancë dhe të japin një arsye për refuzimin e saj.
Raporti i Remote thekson se Holanda kishte një numër relativisht të lartë të punëtorëve në distance që përpara pandemisë, 28%, që në atë kohë ishte një nga normat më të larta në BE.