Në një vizitë të fundit në EHL Hospitality Business School në Lozanë, një gjë që ra në sy ishte se sa mirë ishin të veshur studentët.
Shkolla është një nga universitetet e pakta që ka një kod të vërtetë veshjeje, ku studentët duhet të vishen si në një kontekst profesional.
“Në çdo kontekst profesional, pamja, qëndrimi dhe sjellja mund të luajnë rol kyç në perceptimin që njerëzit krijojnë për gjithsecilin” – thotë kodi.
“Në varësi të situatës, mënyra se si ndërveproni me botën dhe prezantimi i vetes, mund të shërbejë si avantazh konkurrues.”
Vishuni për sukses
Në dukje mjaft sipërfaqësore dhe e përshtatshme vetëm për sektorin e mikpritjes, që shpesh përkufizohet nga imazhet e luksit, në fakt, studimet sugjerojnë se shprehja “dress for success” mund të zbatohet më gjerësisht.
Studimet e Temple University nuk e lidhin veshjen me perceptimin që të tjerët kanë për ne, por e lidhin atë me mendimin që kemi për veten dhe sjelljen në punë. Përfundimet ishin disi të pritshme. Studiuesit zbuluan se kur ndihemi mirë me pamjen tonë, jemi më produktivë në punë.
Gjetjet dolën pas një analize të tre aspekteve të dallueshme të veshjeve tona dhe ndikimit të tyre në imazhin tonë për veten:
- Estetikë– A tërheq veshja vëmendjen e të tjerëve?
- Konformiteti– A është stili i veshjes i ngjashëm me atë të kolegëve?
- Unike– A shihet një element i veshjes si i veçantë apo i vështirë për t’u përsëritur?
Studiuesit kryen një sërë studimesh që synonin të kuptonin llojin e rëndësisë që u japim veshjeve tona.
Ata zbuluan se ne shpesh vendosim një lidhje të fortë midis pamjes sonë estetike dhe tërheqjes sonë personale. Ne gjithashtu i përdorim veshjet tona për të fituar një ndjenjë përkatësie nëpërmjet përshtatjes me normat e grupit, por gjithashtu përpiqemi të jemi unikë me veshje të veçanta.
Ndryshimi i sjelljes
Studimi gjithashtu shqyrtoi mënyrat me të cilat veshja ndikon në zgjedhjet tona në situata të botës reale. Ata rekrutuan punonjës zyre nga disa kompani koreano-jugore, asnjëra prej të cilave nuk kishte ndonjë kod të caktuar veshje, duke i lejuar punonjësit të vishnin atë që donin në punë.
Secilit pjesëmarrës iu kërkua të plotësonte tre pyetësorë çdo ditë, për 10 ditë rresht. Për shembull, në mëngjes ata u pyetën për veshjen e tyre për atë ditë në punë.
Në kohën e drekës, ata do të plotësonin një pyetësor të dytë që shqyrtonte ndërveprimet e tyre me kolegët dhe nivelin e tyre të vetëvlerësimit.
Së fundi, ata do të plotësonin një pyetësor përfundimtar që shqyrtonte produktivitetin e tyre në fund të ditës.
Rezultatet tregojnë se kur punonjësit ndiheshin sikur dukeshin mirë dhe se veshja e tyre ishte unike në njëfarë mënyre, ata kishin vetëbesim më të lartë.
Kjo gjë që i bënte ata më produktivë dhe me më shumë gjasa për të arritur qëllimet e tyre. Një rritje e ngjashme u gjet kur veshjet i ndihmonin punonjësit të përshtateshin me çdo normë zyre, por kjo rritje u shfaq vetëm kur punonjësit ndërvepruan rregullisht me njëri-tjetrin.
“Këto përfundime kanë shumë kuptim sepse, midis tre variablave, konformiteti është variabla më shoqërore” – shpjegojnë studiuesit. “Konformiteti nuk ka shumë rëndësi nëse nuk ndërveprohet me të tjerët në një ditë të caktuar.
Por, kur ndërveprohet me shumë njerëz, ndjenja e përkatësisë ka një ndikim më të fortë, sepse jeni në gjendje të krahasoni veten me një audiencë më të madhe kolegësh.”