Janë 1,342 denoncime dhe ankesa, që janë paraqitur nga shqiptarët në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve vitin e shkuar. Përmes Whatsappit me mesazhe të shkruara, me anë të thirrjeve telefonike apo me email, kanalet e zgjedhura nga qytetarët ishin të ndryshme, ku nuk munguan shkresat zyrtare apo takimet fizike.
Por frika dhe dëshira për ruajtjen e anonimitetit, bënë që pjesa më e madhe ankimeve të vinin nga portali Stop Informalitet me 640 raste, ndërsa 64 indicie erdhën nga portali i bashkëqeverisjes.
Shkeljet e konstatuara nga qytetarët varionin nga mosdeklarimi i punonjësve dhe nënraportimi i pagave, te mos-lëshimi i kuponit tatimor apo kontrabanda.
Mirëpo interesit të shtuar të qytetarëve për të denoncuar, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u përgjigj me vetëm 54 masa ndëshkuese, 16 prej të cilave çuan në bllokim aktiviteti. Penalitete pati për mos-deklarim punonjësish me 11 raste, shmangie fiskalizimi, mos-mbajtje dokumentacioni apo mos lëshim fature apo edhe mos-përditësim adrese e të dhënash.
Në përpjekje për të luftuar informalitetin, prej vitit 2015 kryeministri së bashku me përfaqësues nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve kanë kërkuar nga qytetarët që të denoncojnë. Nga thirrjet për mospagimin e mallit pa kupon tatimor, te denoncimi gjatë pandemisë për punonjësit në të zezë, e deri tek aksioni i fundit në fushën e pagave, reagimi ka qenë minimal. Me gjithë thirrjet e njëpasnjëshme, shpesh edhe në formë fushatash, nisma po jep pak rezultat dhe kjo vërtetohet edhe nga numri i ulët i penaliteve.