Falimentimi i bankës Silicon Valley dhe rreziku për gjashtë të tjera në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka ngritur alarmin, jo vetëm tek depozituesit e tyre, por tek të gjithë qytetarët lidhur me ndikimin në zinxhirin e sistemit bankar amerikan dhe më gjerë. Kjo duke pasur parasysh krizën financiare të vitit 2008, që nisi fillimisht nga tregu i pasurive të patudnshme në SHBA e më pas u reflektua tek e gjitha ekonomia botërore, përfshi atë shqiptare.
A rrezikohemi edhe tani nga një skenar i ngjashëm? Fast News Economy ka pyetur ekspertët e njohur të tregjeve financiare dhe bankare për të analizuar situatën e krijuar dhe implikimet e mundshme.
Adrian Civici, ekspert për tregjet financiare
Kjo ishte një krizë bankare e një banke të lidhur ngushtë me sektorin e teknologjisë dhe start-up. Një krizë që çoi në falimentimin e saj dhe shkaktoi një valë paniku e frike për mundesinë e përsëritjes së situatës së krizes financiare të vitit 2008.
Megjithatë, si efekt i disa ndërhyrjeve të shpejta të Presidentit Biden, Sekretares së Thesarit, Janet Yellen dhe Presidentit të Rezervës Federale, Jerome Poëell, të cilët e kuptuan rrezikun e infektimeve zinxhir në sektorin bankar, situata duket më në kontroll. Mundësia e përhapjes zinxhir të infektimit të tregjeve bankare është minimale.
Ndërkohë, duke iu referuar Komisarit Europian të Ekonomisë, Paolo Gentiloni: “Të gjitha bankat evropiane, jo vetëm më të mëdhatë, por edhe ato më të voglat, po zbatojnë standardet e kujdesit të Bazelit. Kështu që nuk ka asnjë infektim të drejtpërdrejtë. Mundësia e një ndikimi indirekt është diçka që duhet ta monitorojmë, por ne aktualisht nuk e konsideroni këtë një rrezik të rëndësishëm.” Në këtë aspekt, edhe mundësia që të preket edhe sistemi bankar në Shqipëri është e pakonsiderueshme.
Artan Gjergji, ekspert për tregjet financiare
Absolutisht është një krizë që ka nisur për shkak të rritjes së kostos së parasë. Pra, rritja e normës bazë të interesit ka krijuar impakt në bilancet e brishta të disa prej bankave lokale. Gjithashtu, ka një keqmenaxhim nga drejtuesit e këtyre bankave rajonale, që janë gjendur të papërgatitur përballë rritjes së menjëhershme të kostove, për shkak të rritjes drastike të normës bazë të interesit nga Rezervat Federale dhe nuk kanë arritur dot të parashikojnë.
Pasi duke qenë banka investimesh, të lidhura kryesisht me start-up, nuk kanë pasur njohuritë e duhura lidhur me stress testet dhe menaxhimin e likuiditetit dhe kjo ka çuar në paaftësinë për rritur kapital dhe për të gjeneruar kapital nga burimet e jashtme dhe për të mbyllur kostot financiare të Silicon Valley, çka çoi edhe në shpalljen e falimentimit të saj. Pasi ndërhynë menjëherë si autoriteti rregullator, Rezervat Federale, ashtu edhe Agjencia e Sigurimit të Depozitave.
Por kjo është një situatë që tregon për një krizë likuiditeti dhe kjo u reflektua tek paniku i qytetarëve. Dhe këtu është problemi më i madh. Sepse turma nuk do të dijë logjikën se çfarë po ndodh, nuk do të dijë që situata është nën kontroll. Zakonisht ajo që ndodh në rastet e krizave financiare është turrja e njerëzve drejt sporteleve të bankave për të tërhequr dpeozitat dhe kjo krijon një efekt negativ dhe zinxhir në të gjithë sistemin financiare dhe nuk është aspak e mirë.
Kjo është një krizë afatshkurtër, një krizë likuiditeti e shoqëruar me krizën e panikut financiar . Pra, nuk është krizë thelbësore, pasi është në banka të vogla periferike, nëse e krahason me të gjithë tortën e sistemit financiar bankar në Shtetet e Bashkuara të Amerikësa. Ndërkohë që kriza e vitit 2008 ka qenë një krizë strukturore, shumë më e madhe dhe gjithëpërfshirëse, pasi vinte nga fllucka në tregun e pasurive të patundshme.