Ekonomia shqiptare po shkon drejt digjitalizimit, një proces që u përshpejtua gjatë pandemisë së COVID 19 dhe tashmë është një rrugë pa kthim. Mbi 1200 shërbime publike ofrohen aktualisht në mënyrë elektronike nga platforma e-Albania, teksa shitjet online aplikohen nga pjesa më e madhe e bizneseve. Rrjedhimisht, kërkohet edhe një ndërgjegjësim dhe informim më i madh nga ana e qytetarëve lidhur me këto shërbime dhe mënyrën sesi mund t’i aksesojnë ato.
Lidhur me mënyrën sesi Agenda Digitale po zbatohet në Shqipëri, Lëvizja “Mjaft” ka publikuar raportin me të dhënat më të fundit për vitin 2022. Kjo në kuadër të projektit “Rritja e Angazhimit Qytetar në Axhendën Dixhitale – ICEDA”. Projekti ICEDA bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe zbatohet nga Metamorphosis Foundation (Maqedonia e Veriut), e-Governance Academy (Estoni), NVO 35mm (Mal i Zi), Open Data Kosovo (Kosovë), Partners Serbia (Serbi) dhe Lëvizja MJAFT! (Shqipëri).
Aktivitetet dhe studimet e projektit ICEDA janë fokusuar në zbatimin e: e-qeverisjes, ndërgjegjësimit të publikut, shkrim-leximit dixhital dhe pjesëmarrjen elektronike. Në këtë kuadër, në periudhën Mars – Maj 2022, është realizuar kërkimi në përputhje me studimet e mëparshme (të kryera në vitin 2020, dhe 2021). Qëllimi i hulumtimit është të ofrojë një pasqyrë gjithëpërfshirëse që përshkruan progresin e bërë në lidhje me zbatimin e DA në vend gjatë viteve të fundit, dhe të përfshijë përpjekjet e bëra në drejtim të projektit ICEDA.
Sipas raportit të Lëvizjes “Mjaft”, aksesi në internet i popullatës në Shqipëri është 79.3%. Nga këta përdorues aksesi në internet që përdoret nga telefonat celularë është 98.7% ndërsa për laptop e kompjutera 22.8%, e më pak me tablet 8.8%. Në kushtet kur thuajse të gjitha shërbimet publike jepen online, raporti evidenton se duhet rritur aftësimi digjital i qytetarëve shqiptarë, vecanërisht moshave të treta, që kanë më shumë vështirësi.
Në aktivitetin ku u bënë publike gjetjet e raportit, drejtuesit e Mjaft kanë analizuar edhe ndikimin e sulmeve kibernitike tek shërbimet digjitale dhe masat që duhen marrë për të rritur sigurinë e sistemeve dhe mbrojtur të dhënat e qytetarëve.