Ashtu sic kishte paralajmëruar, qeveria ka rritur pagën minimale. Duke filluar nga 1 prilli, paga minimale në sektorin publik dhe privat do të jetë 40 mijë lekë, nga 36 mijë lekë që është aktualisht. Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave.
“Gjatë vitit të kaluar ka pasur rritje të pagave. Në 9-mujorin e vitit 2022, paga mesatare u rrit me 12.3%. Rritja që u miratua sot është në nivelin 6 mijë lekë bruto dhe është 17.6% më shumë kundrejt pagës minimale që ësthë aktualisht në treg. Kjo pagë i atribuohet si sektor privat, ashtu edhe atij publik. Kjo do të thotë se cdo punëmarrës dhe punëdhënës do të jetë i detyruar të zbatojë vendimin e pagës minimale nga 1 prilli. Pra, rritja do të reflektohet në pagën e muajit maj”, ka dkelaruar ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj pas mbledhjes së qeverisë.
Kryefinancierja ka dhënë edhe një lajm të mirë për bizneset, që preken më shumë nga rritja e pagës minimale. Qeveria ka vendosur të mbulojë kostot shtesë të kontributeve të sigurimeve shoqërore nga rritja e pagës minimale për sektorët e bujqësisë dhe fasonit, që kanë edhe numrin më të madh të të punësuarve me pagë minimale.
“Për të ndihmuar biznesin, por edhe në kuadër të paketave fiskale që ka ndërmarrë qeveria, ne kemi marrë vendim që do të shkojë në ndihmë të sektorit të bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit, si dhe sektorit të industrisë përpunuese, që do të subvencionojmë të gjithë elementin e rritjes së kostos shtesë të kontributeve të sigurimeve shoqërore të cdo punonjësi me pagë minimale në listëpagesat e muajit dhjetor. Numri i përllogaritur i përfituesve është rreth 30 mijë persona”, ka deklaruar ministrja Ibrahimaj.