Pjesë e panelit të të ftuarve në emisionin “A2 Business” të gazetares Aurora Sulçe, inxhinieri i ndërtimit, Artur Roshi ka folur në lidhje me masat e marra nga qeveria shqiptare pas tërmetit të vitit 2019 për evidentimin e ndërtesave që kanë rrezikshmëri të lartë, në rast se do të kemi një tjetër tërmet të tilla përmasave në vend.
Sipas Roshit, është bërë fare pak në këtë drejtim, duke e nisur që nga ligji që sipas tij është i paplotë, pasi duhet të kishte një efikasitet teknik të vazhdueshëm.
Roshi vijoi më tej duke thënë se nuk të shkojmë në pikën ku ndodhet sot Turqia, ku masat po merren pas fatkeqësia ndodhi, ndërsa ishte mundësia që verifikimi i godinave në rrezik të bëhej më parë, duke shmangur humbjen e mijëra jetëve të pafajshme.
Sa janë zbatuar elementët kryesorë të deklaruar nga qeveria pas tërmetit të 2019-s?
“Unë nuk mund të them që nuk është bërë asgjë, por është bërë fare pak dhe në të gjitha ato që pretendon kryeministri, le ta marrim nga ligji, që sipas meje ishte i paplotë. Ajo që konceptoj unë është që duhej një ligj që të kishte një efikasitet teknik të vazhdueshëm.
Duhet të ishte plani i dytë që kishte të bënte me krijimin e një tregu të qëndrueshëm të ekspertizës, si një institucion inkluziv, pra që të ketë një pjesëmarrje të ekspertizës, të jetë i kapshëm, i prekshëm nga të gjithë profesionistët, që plotësojnë kriteret teknike me vjetërsi mbi 15 vjet.
Tjetër gjë është që duhen krijuar burime të financimit që duhet të gjeneronin në mënyrë permanente nga tregu dhe jo nga artifica artificiale të injektuara si të thuash në buxhetin e një X agjencie shtetërore. Unë mendoj që nuk duhet të kemi thjesht një auditim, por zgjidhjen e riaftësimit të konstruksionit të objekteve në tërësi”, u shpreh Roshi.
Pas tërmetit të 2019-s a janë marrë masat që të evidentohen se cilat janë ndërtesat që kanë rrezikshmëri më të lartë në rast se do të kemi një tjetër fatkeqësi të tillë?
“Janë bërë vlerësime për ata të prekurit drejtpërdrejt. Qeveria duhet të parandalojë, njëlloj si Turqia, që tha që ne do bëjmë të gjitha ndërtesat nga e para, por a mund ta bënte Turqia më parë këtë gjë, para se ato të shembeshin?
E njëjta gjë, të mos ndodhemi në një situatë tjetër tërmeti, sepse jemi të papërgatitur. Sepse ne ende nuk kemi mbyllur pjesën e parë, pasi kemi ende njerëz që nuk janë akomoduar ende në banesat e tyre”, deklaroi ish drejtori I Institutit të Ndërtimit në A2 Business.