Media prestigjoze Financial times shkruan për rrjetin e paligjshëm të vëzhgimit, i cili tregon fuqinë e krimit të organizuar në Shqipëri.
Policia shqiptare çmontoi më shumë se 500 kamera të paligjshme vëzhgimi, që dyshohet se janë vendosur nga bandat mafioze, për të monitoruar qytetarët dhe forcat e rendit. Ky skandal nxjerr në pah fuqinë e rrjeteve kriminale në Shqipëri.
Kamerat, rreth gjysma e të cilave ishin montuar në kryeqytet, u zbuluan gjatë një hetimi të nxitur nga një shpërthim pranë shtëpisë së një oficeri policie në qytetin verior shqiptar të Shkodrës.
Ndikimi i bandave kriminale është përmendur ndër arsyet kryesore që shqiptarët të largohen nga vendi i tyre dhe të shpërngulen në vende të tjera europiane, përfshirë Britaninë e Madhe.
“Policia çmontoi kamera të vendosura në shtylla elektrike, në rrugë, për të mbledhur informacione për qëllime kriminale,” tha policia shqiptare në një deklaratë ditën e martën.
Bandat përdorën kamerat e kontrolluara nga distanca, për të monitoruar kundërshtarët dhe lëvizjet e policisë, sipas një raporti nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (Balkan Investigative Reporting Network), i cili citonte vendasit që dëshmonin për “kërcënime dhe frikë”.
Kryeministri Edi Rama tha se operacioni policor ishte “si një situatë Catch-22, pasi akuzohemi se nuk kemi marrë masa dhe akuzohemi gjithashtu kur marrim masa”.
“Fakti që policia veproi për këtë çështje, problem prej dekadash, do të thotë se qeveria është e prirur dhe e fokusuar në luftimin e krimit të organizuar”, tha Rama.
Ai shtoi se jo të gjitha kamerat ishin të lidhura me rrjetet kriminale dhe se “disa ishin për përdorim individual, megjithëse jo të ligjshëm”.
Ish-ministri i jashtëm dhe i drejtësisë Aldo Bumçi, tha se grupet kriminale kishin ndërtuar një rrjet botëror të trafikut të narkotikëve dhe po pastronin paratë në Tiranë.
Kartelet shqiptare të drogës punësojnë dhjetëra mijëra familje në vend për të rritur marijuanën, tha Bumçi, duke përdorur paratë dhe lidhjet me Europën perëndimore për të krijuar një rrjet global të kontrabandës së heroinës dhe kokainës.
Rama e kundërshtoi këtë pohim, duke thënë se “Kultivimi i kanabisit ka rënë në mënyrë drastike dhe operacionet e suksesshme policore në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë tregojnë për rritjen e efektivitetit në luftën kundër krimit ndërkombëtar dhe atij të brendshëm”.
Vitin e kaluar, Komisioni Europian e kritikoi Shqipërinë, një vend kandidat i BE, për një ligj të propozuar që ofron amnisti për depozitat deri në 2 milionë Euro në bankat shqiptare pa penalitete, duke tatuar transfertat me një normë deri në 10 për qind.
Një raport i Departamentit të Shtetit të SHBA i publikuar vitin e kaluar, thoshte se Tirana duhet të vazhdojë përpjekjet për reformën në drejtësi, të forcojë rregulloret dhe mbikëqyrjen kundër pastrimit të parave dhe të punojë për të zhdukur ndikimin e krimit të organizuar.
“Krimi i dhunshëm në Shqipëri shoqërohet shpesh me krimin e organizuar”, thuhet në të. “Gjyqtarët, prokurorët, policia dhe gazetarët kanë qenë subjekt i frikësimit dhe kërcënimeve”./Financial Times