Vitin e shkuar qeveria miratoi ligjin për rregullimin e profesionit të ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme duke e bërë atë tashmë një nga profesionet e tjera të lira në treg.
Në vijim të kësaj me akte nënligjore u vendos edhe procedura që do të ndiqej për certifikimin fillestar të tyre dhe kushtet që duhet të plotësoje çdo ndërmjetës për tu certifikuar si i tillë.
Ministria e Drejtësisë së fundmi shpalli shprehjen e interesit për kandidatët që kërkojnë të certifikohen duke ju referuar ligjit 9/2022, “Për profesionin e ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme”, dhe urdhrit nr. 187, datë 4.5.2022, “Për përcaktimin e rregullave të hollësishme mbi paraqitjen dhe trajtimin e shprehjeve të interesit, si dhe në verifikimin e plotësimit të kritereve ligjore të personave që kërkojnë të certifikohen si ndërmjetës të pasurive të paluajtshme”.
Kërkesa e shpallur në datë 26 janar dhe publikuar në fletoren zyrtare në 30 janar përcakton se kandidatët e interesuar kanë 15 ditë kohë për të plotësuar dhe dorëzuar dosjen.
“Trajtimi i shprehjeve të interesit dhe verifikimi i kritereve ligjore të kandidatëve për ndërmjetës të pasurive të paluajtshme kryhet nga struktura përgjegjëse për monitorimin e profesioneve të lira në Ministrinë e Drejtësisë. Thirrja qëndron e hapur për një periudhë prej 15 ditësh nga data e publikimit. Kandidati për ndërmjetës të pasurive të paluajtshme paraqet shprehjen e interesit dhe dokumentacionin shoqërues, brenda 15 ditëve nga përfundimi i afatit të publikimit”, thuhet në kërkesën e ministrisë.
I njëjti institucion saktëson dhe listën e dokumenteve që duhet të paraqiten në dosje.
Kështu kandidati për ndërmjetës të pasurive të paluajtshme, që kërkon të certifikohet si ndërmjetës i pasurive të paluajtshme, depoziton pranë Ministrisë së Drejtësisë, përmes shërbimit postar ose dorazi, dokumentacionin si vijon:
- a) Kërkesë për shprehje interesi për certifikimin si ndërmjetës i pasurive të paluajtshme;
- b) Kopje të mjetit të identifikimit;
- c) Certifikatë familjare;
- d) Kopje të njësuar të diplomës së arsimit të mesëm të lartë, të lëshuar nga një institucion arsimor i akredituar në Republikën e Shqipërisë ose diplomë të lëshuar nga institucion arsimor i huaj, të njohur e të njësuar nga ministria përgjegjëse për arsimin;
- e) Vërtetim nga prokuroria që nuk është nën hetim për veprat penale në fushën e pastrimit të parave, të financimit të terrorizmit apo të armëve të shkatërrimit në masë;
- f) Vërtetim nga gjykata që nuk është nën gjykim për veprat penale në fushën e pastrimit të parave, të financimit të terrorizmit apo të armëve të shkatërrimit në masë;
- g) Vetëdeklarim të gjendjes gjyqësore të kandidatit dhe për personat e lidhur me të;
- h) Vetëdeklarim që nuk ka dënim me masë administrativë gjobë ose masë administrative, që detyron subjektin të ndalë një sjellje të caktuar, praktikë pune apo biznesi, si dhe të mos e përsëritë në të ardhmen, për shkelje të legjislacionit në fuqi për parandalimin e pastrimit të parave, të paktën jo më herët se 6 muaj nga data e paraqitjes së kërkesës;
- i) Certifikatë për përfundimin me sukses të programit të detyrueshëm të trajnimit për kandidatët për ndërmjetës të pasurive të paluajtshme./Monitor