Në kushtet e largimit të fuqisë punëtore nga vendi, eksperti për çështjet e punësimit Erald Pashai, sugjeron rritjen e pagës mesatare në 850 euro për të frenuar emigracionin. Por që sipas ekonomisti Ardian Civici, nuk ekzistojnë mundësitë për rritjen e tyre. Deklaratat u bënë në emisionin A2 Business të gazetares Aurora Sulce.
“Ne kemi bërë një studim dhe paga mesatare të jetë 1 milionë lekë të vjetra neto. Paga 1 milionë lekë të vjetra neto, ose 850 euro në muaj për individ dhe emigracioni do të frenohet, por nuk do të zerohet dhe prapë do të kemi vështirësi”.
Por për ekspertin Ardian Civici, mundësitë e rritjes së pagave nuk ekzistojnë pasi varen nga
“Kontributi në përqindje i sektorëve të ndryshëm të ekonomisë në vendet e Ballkanit Perëndimor dominojnë shërbimet financiare ata me teknologji të lartë, sektorët industrialë, industria e makinave dhe kjo në Shqipëri dominohet nga bujqësia, shërbimet e vogla, fasonët. Duke e krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor ajo që na mungon janë sektorët me produktivitet të lartë e vlerë të shtuar të lartë, ku dominon kapitali, sesa fuqia punëtore. Thelbi i pagave diktohet nga tregu, konkurrenca e produktiviteti. Nuk zgjidhet me vullnet politik, apo të biznesit”.
Pashai thekson se pagat duhet të rriten çdo vit dhe jo vetëm indeksim i tyre.
“Kush nuk i përgjigjet tregut tregu të jep shuplakën e vet dhe ka shumë të tjerë që nuk e kanë ndjekur kërkesën e tregut. Industria fasone paguan 44 mijë lekë në muaj, janë shumë pak dhe ata nuk po gjejnë punonjës. Kemi mentalitet për punën kam punuar në të gjitha vendet rajonit të punësuarit kanë pasur kurajo të kërkojnë më shumë dhe të gjithë kolegët e mi paguheshin më shumë se unë. Pagat nuk rrite 40-50% po duhet ta fusim në kulturën tonë çdo vit nga 5-10%, jo vetëm sa inflacioni. Dhe nëse këtë e bën në mënyrë të përvitshme. Ne duhet të ndjekim kërkesë ofertën”.
Një tjetër disavantazh i madh për ekonominë tonë, sipas Pashait është edhe produktiviteti i ulët dhe qarkullimi i punonjësve brenda kompanive.
“Sot është disavantazh i madh kemi produktivet të ulët dhe kemi largime dhe kemi qarkullime brenda kompanive. Qarkullimi i punonjësve ka arritur edhe në 100% dhe kjo ka ndodhur në hotele. Nuk ke produktivitet, nuk ke cilësi shërbimi. Një pjesë e biznesmenëve i qëndrojnë besnik pagave që kanë. Lëvizja e stafit është indikator kokëfortë nëse brenda kompanisë të largohen 10-15% ka një gjë që nuk shkon dhe duhet të ndërhysh. Sot shqetësimi më i madh është forca e punës”.