Kriza e çmimeve dhe ajo e interesave po reflektohet në kërkesën për kredi të inividëve dhe bizneseve, por edhe në kushtet e bankave për të dhënë hua. Banka e Shqipërisë kontaton në vrojtimin e Aktivitetit Kreditues se bankat mbetën të kujdesshme në kreditimin e agjentëve ekonomikë edhe në tremujorin e fundit të vitit 2022. Standardet, kushtet e termat e kreditimit në kreditë e reja për bizneset u shtrënguan, si në terma të madhësisë së biznesit, ashtu edhe në terma të përdorimit të kredisë. Në të njëjtën linjë me to, edhe raporti i aplikimeve të pranuara (ndaj totalit të aplikimeve) ra gjatë tremujorit të fundit.
“Bankat vijojnë të perceptojnë rreziqe dhe pasiguri për situatën makroekonomike e financiare e perspektivën e saj, që mund të cenojnë bilancet e bizneseve. Për këtë arsye, politikat e kredidhënies i kanë bazuar në një bandë më të ngushtë tolerance ndaj rrezikut. Nga ana tjetër, normalizimi i politikave monetare në vend dhe jashtë po shton kostot e fondeve të bankave, duke përbërë një faktor të shtuar shtrëngues për kushtet e termat e kreditimit për bizneset”, theksohet në vrojtim.
Përsa i përket individëve, bankat kredituan brenda një kuadri të kujdesshëm, duke shtrënguar standardet e kreditimit dhe duke miratuar një numër më të ulët aplikimesh për kredi. Nga ana tjetër, nismat individuale të bankave për të shtuar portofolin e kredisë në segmentin e individëve, u finalizuan në kushte e terma të lehtësuara kreditimi, të nxitura kryesisht nga shtimi i konkurrencës në sistem bankar.
Kërkesa për kredi u raportua e lartë në të gjitha hallkat e madhësisë së biznesit, e përdorur kryesisht për të mbuluar nevojat e shtuara në financimin e inventarëve e kapitalit qarkullues. Individët shfaqën një kërkesë më të ulët për kredi, si për konsum ashtu edhe për blerje banesash. Rënia e kërkesës për kredi nga individët, në gjykimin e bankave tregtare, krahas pasigurive lidhur me ambientin makroekonomik, reflektoi edhe rritjen e normave të interesit.
“Në tremujorin e parë të vitit 2023, kushtet e ofertës për kredi priten të mos ndryshojnë pothuajse për të gjithë agjentët ekonomikë. Nga ana tjetër, kërkesa për kredi pritet të jetë më e ulët, kryesisht për financimin e investimeve dhe në segmentin e biznesit të vogël e të mesëm. Kredia për likuiditete, nga ana tjetër, pritet të jetë më e lartë. Kredia për individë pritet të jetë sërish në rënie, si në mbulimin e nevojave për konsum ashtu edhe në financimin për blerjet e banesave”, theksohet në vrojtimin e Bankës së Shqipërisë.