Shqipëria, ashtu si një pjesë e mirë e botës rrezikohet nga një krizë konsumi këtë vit. E veçanta është se tkurrja e shpenzimeve në vend pritet të jetë më e theksuar.
Faktorët janë disa: ato lidhen kryesisht me emigracionin, rritjen me disa herë të normës bazë të interesit për lekun, inflacionin në nivele rekord e mbi të gjitha, me të ardhurat e disponueshme ndër më të ulëtat në Rajon, Europë e më gjerë.
“Inflacioni çon në krizë konsumi. Duke ulur fuqinë blerëse të parasë ajo bën që konsumi të ulet sepse pikërisht, me të njëjtën sasi parash ti blen më pak të mira dhe shërbime”, u shpreh eksperti Enton Duro.
Rënia e konsumit është më shumë se një treguesve si nivelit të xhepave të njerëzve. Më pak shpenzime nga qytetarët përkthehet qarkullim më të ulët të parave, reduktim të të ardhurave të bizneseve dhe qeverisë nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar si dhe kufizim të prodhimit vendas e investimeve.
“Për vitin 2023 pritet të jetë edhe më i vështirë se 2022. Kjo pasi presionet inflacioniste do të kenë prekur të gjitha qelizat ekonomike të vendit”, shtoi Duro.
Me konsumin vendas në rënie e sipër, ruajtja e ekuilibrave në kërkesë sipas ekspertëve mund të arrihet vetëm me anë të kërkesës nga jashtë.
“Ne jemi një vend që punojmë me kosto të ulëta. Kur çmimet në botë rriten ndjeshëm ne mund të përfitojmë. Prandaj kjo duhet marrë në konsideratë”, shtoi Duro.
Tkurrja deri në krizë e konsumit gjatë këtij viti u paralajmërua më herët nga Banka Botërore në raportin, “perspektiva Ekonomike Globale 2023”. Për shkak të të ardhurave të ulëta gati 43 për qind e të ardhurave që shqiptarët grumbullojnë shkojnë për ushqime.