Të gjithë parashikojnë se 2023 do të jetë një vit i vështirë për ekonominë, atë globale dhe shqiptare. Më pak rritje ekonomike, çmime të larta, një inflacion që vijon të na rrezikojë, së bashku me interesat gjithashtu në trajektore të fortë rritëse. Por nuk janë vetëm faktorët e jashtëm.
Disa dinamika të brendshme pritet të kushtëzojnë ecurinë e ekonomisë sonë: janë zgjedhjet vendore në prag, amnistia e deklaruar nga qeveria dhe padyshim, ajo që ndodh sot në botë dhe në tregjet ndërkombëtare. Por a po përdoret buxheti në funksion të zgjedhjeve? Kjo u diskutua në emisionin A2 Business të gazetares Aurora Sulce.
Sipas Akil Krajës, ekspert i ekonomisë pranë Partisë Demokratike, nëse krahasojmë periudhën 2005-2013 dhe 2013-2023, rritja është në drejtime të kundërta. Reforma territoriale duhet të bëhej në logjike efikaciteti, në 2015 kemi patur 84 milionë euro për pagat, dhe në 2023 kemi 207 milionë euro, që nënkuptohet si rritje e stafit. Pse kemi më shumë administratë kur bëmë edhe portale si e-Albania? Shifrat janë fakte, behet fjalë për administratë elektorale, me parimin një votë, një vend pune”.
Për Agron Haxhimalin, ekspert për pushtetin vendor, “para reformës territoriale, kishim 19 mijë punonjës në rrafsh lokal, në gjashtëmujorin e vitit 2022, numri i punonjësve është e gati 35 mijë të tillë. Por për të qenë të qartë, një pjesë e tyre, 3 mijë prej tyre që i janë shtuar janë transferuar te një grup funksionesh që dikur i kishte pushteti qendror dhe tani ka kaluar në nivel vendor. Për pjesën tjetër, mund t’i quajmë administratë elektorale, mund t’i quajmë patronazhistë, por ai numër rëndon mbi taksapaguesit shqiptarë. Legjislacioni nuk e pengon kryetarin e bashkisë të riorganizohet, por a kemi sot një cilësi më të mirë se para reformës territoriale?”, vëren ai në “A2 Business”.
Për sa i përket përdorimit të buxhetit për qëllime elektorale, eksperti për Ekonominë Artan Gjergji mendon se “nëse i bëjmë një analizë tre dekadave të fundit, politika e ka përdorur në mënyrë perfekte buxhetin e shtetit për efekte elektorale, pavarësisht ngjyrës politike. Kjo ndihet më shumë në pushtetin vendor, sepse në një zonë ku për të bërë biznes mundësia është e vogël, një pagë shtetërore ka impakt më të madh. Por bazuar në shifrat, kemi trefishin e fondeve që shkojnë në paga, ndërkohë që reformën e kemi bërë për të reduktuar numrin e bashkive për t’i bërë me eficente”, thotë ai.
Gjergji thekson edhe një fenomen tjetër, në fryrjen e buxhetit për administratën. “Një zë i padiskutueshëm edhe për taksat tona, janë rikthimet në punë dhe gjyqet e fituara, ato rezultojnë në buxhet pavarësisht a janë kthyer në punë apo jo. Sipas Krajës, sot ka monopartizëm, nuk ka debat në bashkitë shqiptare dhe nga kjo situatë kemi 1/3 të bashkive që kanë detyrime financiare të prapambetura që prekin në 20%, pra në 5 lekë të shpenzuara një lek paguhet një ose dy vite më vonë”, thotë ai.
Ndërkohë Haxhimali shton se pushteti vendor në Shqipëri merr vetëm 1% të GDP-së, nga ana tjetër ndër vite bashkitë shqiptare janë nga më të nënfinancuarat nga buxheti qendror.