Krahas politikës monetare, mbajtja nën kontroll e inflacionit kërkon edhe koordinimin me politika fiskale nga ana e qeverisë. Është ky mesazhi që dha guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në Forumin për vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore (EQL), një aktivitet i përvitshëm i “Euromoney” që mbledh së bashku figura të njohura të fushës akademike, ekonomike e financiare, për të diskutuar mbi zhvillimet më të fundit ekonomike në vendet e Evropës dhe kryesisht në ato të rajonit lindor dhe juglindor të saj.
Guvernatori Sejko ishte i ftuar si diskutant në panelin me temë “Politika monetare: një përshpejtuese fiskale, ndryshimet e papritura monetare – kufizimi i pasojave negative”, së bashku me homologë nga Maqedonia e Veriut, Gjeorgjia dhe Hungaria.
Gjatë këtij paneli, guvernatorët diskutuan mbi disa çështje kryesore të aktualitetit ekonomik: sfidat që shtrohen përpara ekonomive të rajonit nga rritja e shpejtë e inflacionit dhe reagimin e bankave qendrore ndaj tij; koordinimin e politikave monetare e fiskale midis autoriteteve; si dhe sfidat afatgjata që shtrohen përpara ekonomive në zhvillim nga realiteti i ri ekonomik e gjeopolitik.
Guvernatori Sejko diskutoi mbi zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare dhe ndikimet e krizave të viteve të fundit. Ai u shpreh se Banka e Shqipërisë ka ndjekur një cikël normalizimi të qëndrimit të politikës monetare gjatë vitit 2022, duke e rritur normën bazë të interesit nga minimumi historik prej 0.5% në fillim të vitit, në nivelin 2.75% në fund të tij.
Ai u shpreh se detyra e bankave qendrore për ruajtjen e stabilitetit monetar dhe financiar të ekonomive bëhet më komplekse, në prani të goditjeve të huaja të ofertës, si rritja e çmimeve në tregun e huaj, goditje e cila buroi nga agresioni i papritur ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës dhe që kërcënoi stabilitetin e çmimeve kudo në botë.
Më tej, Guvernatori theksoi se regjimi i politikës monetare të aplikuar nga Banka e Shqipërisë – ai i shënjestrimit fleksibël të inflacionit – ofron diskrecionin e duhur në vendimmarrje, për sa kohë ai mban parasysh si objektivin final të stabilitetit të çmimeve, ashtu dhe nevojën për zbutjen e pasojave të goditjes në ekonomi.
Në vijim, Guvernatori shtoi se ruajtja e stabilitetit financiar kërkon përfshirjen e vazhdueshme dhe aktive të aktorëve të tjerë institucionalë. Ai theksoi nevojën e koordinimit ndërmjet politikave monetare dhe fiskale. Në tërësi, këto politika duhet të jenë në koordinim me njëra–tjetrën, duke synuar kontrollin dhe kthimin në objektiv të inflacionit, me një kosto sa më të ulët mbi aktivitetin ekonomik. Në këtë kontekst, konsolidimi fiskal në Shqipëri ka shkuar në linjë me normalizimin e politikës monetare. Megjithatë, brenda hapësirave të saj, politika fiskale ka pasur një rol parësor për zbutjen e ndikimit të goditjes në ekonominë shqiptare.
Gjatë këtij forumi dyditor, Guvernatori Sejko zhvilloi takime me personalitete të njohura ndërkombëtare, me zyrtarë të lartë të bankave qendrore, si dhe me përfaqësues të bankave të ndryshme tregtare.