Qeveria ka mbajtur të pandryshuar fondet për buxhetimin gjinor në projektbuxhetin 2023, që ka nisur të diskutohet në komisionet parlamentare. Në relacionin që shoqëron draftin theksohet se në kuadër të buxhetimit të përgjigjshëm gjinor, vitin e ardhshëm do të vijojë adresimi i çështjeve të lidhura me barazinë gjinore kryesisht në fushat e arsimit, shëndetësisë, mbrojtjes sociale, drejtësisë dhe rendit publik. Në këtë projektbuxhet parashikohet që rreth 9% e shpenzimeve të përgjithshme publike t’i dedikohen politikave publike me bazë gjinore, të përfshira në 47 programe buxhetore. Në total janë 59.1 miliardë lekë që do të alokohen nga buxheti i shtetit për këto cështje.
Buxhetimi i përgjigjshëm gjinor
Projektbuxheti 2023 parashikon që mbështeta financiare për çështjet e barazisë gjinore në sektorë të ndryshëm të vijojë me të njëjtin intensitet, pavarësisht krizës së çmimeve dhe asaj energjetike. “Trendi i parashikimeve buxhetore lidhur me sektorët që adresojnë çështje të barazive gjinore vijon të jetë i njëjtë me vitet paraardhëse, ku rreth 9% e shpenzimeve të përgjithshme për të gjithë sektorët në nivel qendror parashikohet të shkojë për realizimin e objektivave gjinorë në: arsim, shëndetësi, mbrojtje sociale, rend publik, bujqësi, drejtësi, etj”, theksohet në relacionin që shoqëron projektbuxhetin e vitit të ardhshëm.
Po cilët janë sektorët, ku do të fokusohen fondet?
Politikat e zhvillimit rural për vitin 2023 do të financohen me rreth 12.7 miliardë lekë, ku prioritet do të kenë edhe:
- Rritja me 7% e pagave të administratës shtetërore të sektorit ku rreth 65% janë gra.
- Rritja e numrit të grave që përfitojnë shërbimet e këshillimit dhe informacionit bujqësor.
- Rritja e numrit të grave fermere që përfitojnë nga skemat kombëtare të subvencioneve si dhe nga programi IPARD II.
Për sektorin e kulturës do të vijohet ti jepet përparësi:
- Grave dhe vajzave artiste që promovojnë skenën e pavarur.
- Gratë artizane që ruajnë dhe trashëgojnë më tej vlerat dhe traditat e kulturës shqiptare.
Parandalimi i rasteve të dhunë në familje, mbrojtja e viktimave të dhunës me bazë gjinore dhe asaj në familje si dhe rritja e rolit te grave në strukturat e rendit publik do të vijojnë të jenë prioritetet e sektorit edhe për vitin 2023. Në sektorin e shëndetësisë do të vijojnë të mbështeten nënat e reja me shërbime të shëndetit parësor. Do të shtohet numri i grave dhe vajzave që përfitojnë nga shërbimet e depistimit të kancerit të gjirit dhe qafës së mitrës, do të punohet për të shtuar numrin e burrave të moshës 35-66 vjec që përdorin shërbimet e check-up për identifikimin në kohë të sëmundjeve, etj.
Në fushën e mbrojtjes sociale do të rritet financimi i politikës së rishikimit të masës së përfitimit për Ndihmën Ekonomike si dhe politika e mbështetjes së çmimit të energjisë për përfituesit e kategorisë PAK, ku rreth 44% të përfituesve janë gra. Gjithashtu, do të mbështetet edhe financimi i skemës së mbështetjes së nënave me tre apo më shumë fëmijë të mitur, me kosto rreth 600 milionë lekë.
Me anë të fondit të akorduar për ministrinë e Drejtësisë synohet që:
- Të mbahen në kushte të përshtatshme rreth 5.500 të dënuar burra, 86 të dënuara gra dhe 36 të dënuar të mitur, si dhe të trajtohen me shërbim shëndetësor 382 të dënuar të sëmurë;
- Të ofrojë ndihmë juridike falas për rreth 6.300 individë në total që plotësojnë kushtet në zbatim të ligjit për ndihmën juridike falas, prej të cilëve 3700 janë gra dhe vajza.
- Të realizojë rreth 17.500 akte ekspertimi të klasifikuara si; mjeko-ligjore, prej të cilave rreth 135 raste të dhunës seksuale.
- Të ri-integrohen nëpërmjet zhvillimit të programeve për rehabilitimin në shoqëri të paraburgosurve dhe të dënuarve në përputhje me standardet europiane, rreth 360 të dënuar burra, 2 të dënuara gra dhe 6 të dënuar të mitur.
- Të mbikëqyrë në mënyrë efektive 6.880 burra, 790 gra dhe 186 të mitur gjatë shërbimit të provës. Fondet për “Sektorin e Arsimit” në vitin 2023, parashikohet të arrijnë në 65.3 miliardë lekë, ose 10.42% krahasuar me shpenzimet publike dhe 3.33% ndaj produktit të brendshëm bruto.
- Politikat kryesore për zhvillimin e arsimit gjatë këtij viti synojnë të targetojnë edhe:
- Vajzat që vijnë nga familje në nevojë dhe/apo viktima të trafikimit duke mundësuar dhënien e teksteve shkollore falas për arsimin e mesëm.
- Vajzat që ndjekin arsimin e parashkollor dhe bazë në zonat rurale që përbëjnë rreth 46.8% të 35- 38 mijë nxënësve dhe fëmijë, që ndjekin arsimin parashkollor dhe arsimin bazë që mësojnë në një distancë prej më shumë se 2 km nga vendbanimi i përhershëm i tyre
- Vajzat që mbarojnë studimin e mesëm dhe vijojnë ciklin e parë të studimeve të larta duke ofruar shërbimin e konvikteve dhe lehtësirave të tjera.
- 18% – 20% të studentëve të ciklit të parë dhe të dytë dhe në përputhje edhe me parimet e barazisë gjinore.
- Vajzat dhe gratë që kryejnë kërkim shkencor në IAL.
- Personeli mësimdhënës në sistemin parauniversitar, ku pjesën më të madhe e zënë gratë, duke rritur pagat në vlerën 7%.
Politikat e të punësimit dhe të arsimit profesional për gratë dhe vajzat vijojnë të jenë prioritet për këtë ministri, ashtu sikurse edhe politikat e mbrojtjes sociale të strehimit social apo të sigurimeve shoqërore, te cilat synojnë jo vetëm fuqizimin e grave dhe vajzave, por edhe ndihmën specifike ndaj atyre që janë viktima të dhunës më bazë gjinore apo në familje. Rreth 9.7 miliardë lekë planifikohet të shpenzohen për këto politika gjatë 2023.
Me një nivel prej 9% të totalit të shpenzimeve buxhetore për buxhetimin gjinor, Shqipëria renditet në vendin e parë në rajon përsa i përket mbështetjes financiare për çështjet e barazisë gjinore.