Mijëra punonjës të industrive në Gjermani kanë dalë në rrugë për disa orë gjatë fundjavës për të përshkallëzuar çështjen e pagave, ndërsa drejtuesit e sindikatës së fuqishme IG Metall të Gjermanisë kanë paralajmëruar për një numër më të madh grevash nëse punëdhënësit nuk arrijnë të përmirësojnë ofertën e tyre.
Sindikata më e madhe industriale e Europës po kërkon një rritje të pagave prej 8 për qind për 3.9 milionë punonjës në industrinë e automobilave, të metaleve dhe në atë elektrike, për të kompensuar inflacionin në rritje. Kjo kërkesë për rritje pagash është më e larta që nga viti 2008.
Sektori i industrisë është shtylla kurrizore e ekonomisë së Gjermanisë dhe është i rëndësishëm edhe për caktimin e pagave në sektorë të tjerë.
Përfaqësuesit e punëdhënësve kanë ofruar një pagesë totale prej 3,000 €, të shpërndarë në një hark kohor prej 30 muajsh, duke argumentuar se edhe vetë kompanitë ishin në vështirësi nga rritja e kostove të energjisë dhe nga një recesion i mundshëm.
Të shtunën mbrëma, punonjësit e shumë kompanive në të gjithë Gjermaninë, duke përfshirë prodhuesin e çelikut ThyssenKrupp dhe furnizuesit e automobilave Bosch dhe ZF, filluan të zbatojnë një program që sindikata e quajti “greva të përkohshme paralajmëruese”. Bllokimet zgjatën për disa orë dhe do të vazhdojnë deri në fillim të nëntorit në kompani të ndryshme në të gjithë Gjermaninë.
Ndikimi i këtyre akteve në prodhimin e industrisë ishte i kufizuar, por ndërprerja e punës ishte një simbol i rëndësishëm i vendosmërisë së punonjësve, tha një zyrtar i sindikatës.
“Refuzimi i punëdhënësve për të hyrë në negociata për paga shkaktoi këtë përshkallëzim,” tha sindikata në një deklaratë gjatë fundjavës, duke shtuar se do të shtonte aktet e saj të ndërprerjes së punës gjatë ditëve në vijim.
Kreu i IG Metall, Jörg Hofmann, kishte paralajmëruar më parë se sindikata do të përshkallëzonte grevat nëse punëdhënësit nuk arrijnë të paraqesin një ofertë më të mirë deri më 9 nëntor, kur të rifillojnë bisedimet.
Pagat në eurozonë këtë vit janë prekur nga inflacioni, i cili ka arritur mbi 10 për qind për herë të parë në historinë e këtij rajoni. Kjo ka bërë që shumë punonjës të jenë në një gjendje tepër më të keqe se më parë, në terma realë.
Peer-Michael Dick, shefi ekzekutiv i shoqatës së punëdhënësve të metaleve në Baden-Württemberg, i përshkroi grevat si “plotësisht të panevojshme” dhe paralajmëroi se ato krijuan një barrë shtesë për kompanitë që tashmë janë në vështirësi.
Ekonomistët thonë se inflacioni i lartë mund të rrisë gjasat për një spirale mes çmimeve dhe pagave, të ngjashme me atë të viteve 1970. Kjo do ta bënte Bankën Qendrore Europiane që të rriste normat e interesit.
“Në kushtet e inflacionit të lartë, i cili sjell humbje të konsiderueshme të fuqisë blerëse, sindikatat ka të ngjarë të kërkojnë paga më të larta,” tha Marco Wagner, një ekspert i ekonomisë në bankën gjermane Commerzbank.
Pagat në Eurozonë janë rritur me 4 për qind në tremujorin e dytë, një ritëm më i ngadaltë se në SHBA ose në Mbretërinë e Bashkuar. Por, papunësia në bllokun e 19 vendeve ka rënë në nivelin më të ulët prej 6.6 për qind dhe mungesa e fuqisë punëtore po bëhet një problem gjithnjë e më i madh në disa vende, të tilla si Gjermania, Holanda dhe Polonia, sipas të dhënave të Eurostat nga muaji gusht. Kjo bën që shumë punonjës të kenë një pozicion më të mirë negociues për pagat.
Disa punëdhënës u kanë ofruar punonjësve pagesa të plota ekstra, në vend të rritjes së pagës. Qeveria gjermane e ka inkurajuar këtë metodë, duke mos i taksuar këto pagesa ekstra. Punonjësit në industrinë kimike gjermane kanë marrë këtë muaj pagesa vjetore prej 1,500 €, për dy vitet në vazhdim, krahas një rritjeje page prej 3.25 për qind.
BQE po vëzhgon me vëmendje rritjen e pagave në eurozonë, pasi parashikoi muajin e kaluar se pagat do të rriten nga 4 për qind këtë vit, në 4.8 për qind vitin e ardhshëm. Presidentja e BQE-së, Christine Lagarde, tha në një konferencë për shtyp javën e kaluar se rritja ka të ngjarë të përshpejtohet, duke thënë: “Të dhënat për të ardhurat nga pagat tregojnë se rritja e pagave mund të jetë akoma më e madhe”./ Financial Times