Rritja e normës bazë të interesit ëhstë reflektuar tek interesat e bonove të thesarit. Yield-et e bonove 12-mujore shënuan një tjetër rritje të fortë në ankandin e zhvilluar sot. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar arriti në 5.26%, nga 4.74% që kishin qenë në ankandin e mëparshëm, në fillim të këtij muaji. Ky është niveli më i lartë nga korriku 2013.
Ankandi i sotëm i bonove 12-mujore ishte i pari për këto instrumente, pas rritjes së normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë, më datë 5 tetor. Këshilli Mbikëqyrës e rriti normën bazë me gjysmë pikë përqindjeje dhe e çoi në nivelin 2.25%. Të dhënat historike tregojnë se ankandet e para pas ndryshimit të normës bazë gjithmonë sjellin lëvizje të yield-eve të bonove 12-mujore në të njëjtin kah. Një tendencë e tillë u konfirmua edhe në ankandin e sotëm.
Rritja e pritshme e yield-eve të bonove 12-mujore pritet t’i japë një tjetër shtysë përcjelljes së politikës monetare në tregun financiar dhe rritjes së përgjithshme të normave të interesit. Kreditë me interesa të ndryshueshme të huamarrësve në lekë tashmë po bëhen gjithnjë e më të kushtueshme. Krahasuar me një vit më parë, yield-i mesatar i bonove 12 mujore është rritur me pothuajse 3.6%. Kjo rritje do të përcillet në rishikimin e normave të interesit të kredive që ndërtohen mbi yield-in e bonove.
Për bizneset dhe familjet që kanë kredi kjo do të përkthehet në një rritje të ndjeshme të vlerës së këstit mujor. Ky shtrenjtim do të sjellë pasojat të ndjeshme të buxhetet e huamarrësve. Në rastin e familjeve, rritja e këstit të kredisë do të ulë burimet në dispozicion të konsumit apo kursimit. Në rastin e bizneseve, kjo mund të nxisë rritje të mëtejshme të çmimeve ose ulje të marzheve të fitimit.
Ndërkohë që efekti në interesat e kredive në shumicën e rasteve do të përcillet automatikisht në treg, rritja e shpejtë e yield-eve po nxit presionin mbi bankat për të rritur edhe normat e interesit të depozitave. Kthimet e larta të bonove po bëhen gjithnjë e më joshëse për investitorët e vegjël dhe një pjesë e tyre mund t’i tërheqin paratë e mbajtura në depozita për të investuar në instrumentet e borxhit të qeverisë. Rritja e yield-eve nxit gjithashtu konkurrencën mes bankave për depozita, duke qenë se kthimi nga investimi i tyre është gjithnjë e më i lartë.