Në ekonomi, parimi kur do të marrësh një kredi është i qartë: merre në monedhën që ke të ardhurat. Por duket se qytetarët dhe bizneset në Shqipëri pak e ndjekin një këshillë të tillë. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti, bankat dhanë 661 milionë euro hua në euro, niveli më i lartë në të paktën 5 vitet e fundit.
Kjo do të thotë se të gjithë kredimarrësit në euro që të ardhurat mujore i kanë në lek, janë gjithmonë të rrezikuar nga kursi i këmbimit. Kjo pasi forcimi i euros rrezikon të rrisë këstin mujor, pasi normës së interesit i shtohet edhe kosto e transaksionit. Ndërsa kur euro bie, këta kredimarrës përfitojnë. Por luhatjet e kursit të këmbimit janë të paparashikueshme dhe ndikohen nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm.
Një tjetër element që ndikon është edhe norma bazë e interesit të euros që përcaktohet nga Banka Qendrore Europiane dhe mbi bazën e të cilës përcaktohen interesat e kredisë në euro që japin bankat në Shqipëri. Nëse norma bazë e euros rritet nga BQE-ja, automatikisht kreditë shtrenjtohen dhe anasjelltas.
Le të marrim një shembull: nëse apartamenti të kushton 75 mijë euro dhe banka të financon deri në 70 për qind të shumës, ti do marrësh 52,500 euro. Me kursin aktual të këmbimit kjo shumë do ishte 6.1 milionë lekë. Nëse kredia merret në valutën europiane, norma e interesit do të ishte 2.85 për qind, kurse në monedhën kombëtare, 4.14 për qind.
Në fund të 20 viteve, nëse kredinë e ke marrë në euro me kursin aktual të këmbimit, do të kursesh mbi 900 e 50 mijë lekë.Leverdia më e madhe e një kredie në euro është pikërisht tani që jemi në kushte krize.
Ndryshimi i normave bazë të interesit nga Bankat Qendrore që ndikon drejtpërdrejtë te kursi i këmbimit, sidomos muajt e fundit po prish ekuilibrat e llogarive edhe të atyre që kanë marrë tashmë një kredi. Kjo do të thotë se pritet që interesat të rriten dhe këta kredimarrës të paguajnë më shumë cdo muaj.