Me 7 mijë pika bastesh dhe sallonesh, industria e lojërave të fatit ishte një nga aktorët më të mëdhenj ekonomikë në vend. Aq gjigante, sa një prej kompanive rezultonte punëdhënësi më i madh në Shqipëri, pas shtetit, e të punësuarit zyrtarë në total ishin rreth 7 mijë.
Sot, shenjat e një të shkuare të tillë janë të rralla. Bastoret u kthyen në lokale, ndërsa lagjet e qyteteve zbuluan edhe biznese të tjera, krahas atyre që paratë i merrnin me xhetona.
Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, në vend sot ka vetëm 6 kompani të licencuara për të ushtruar këtë lloj biznesi: 1 lotari kombëtare, 1 bingo televizive dhe 4 kazino.
Por kur tregu ishte në lulëzimin e tij, paratë që shqiptarët shpenzonin tejkalonin shifrën e 16.6 miliardë lekëve, apo me kursin e sotëm rreth 143 milionë euro. Pjesa më e madhe e tortës shkonte për kazinotë elektronike, ato që qeveria edhe sot nuk ka asnjë plan për t’i rihapur, ndërsa bastet sportive qarkullonin 5.8 miliardë lekë.
Përfitimi i shtetit nga të mbajturit në këmbë një industri të tillë ishte evident: nga tatimet, taksat, kontributetet e punonjësve dhe paratë që bixhozi riqarkullonte në ekonomi përfitohej sipas dokumenteve zyrtare rreth 125 milionë dollarë në vit, nga të cilat 40 milionë vetëm nga taksat.
Ndërsa sot, bilancet e 6 kompanive të licencuara, flasin për një xhiro totale prej 6 miliardë lekësh, nga ku taksat janë vetëm një fraksion i asaj që përfitohej dikur.
Me rihapjen e basteve online, qeveria e ka bërë të qartë. Pagesat për sportin janë një barrë një i hiqen projekteve të tjera, ndaj fitimet nga bixhozi do të investohen ekskluzivisht në këtë fushë, së bashku me arsimin dhe rininë. Por mbi të gjitha, këto para do të vijnë nga ato që luhen edhe sot në bixhoz, por në të zezë, në xhepat e padukshëm të atyre që ndalimin e kumarit nuk e kanë vuajtur./A2