Muri i Berlinit, i cili për disa dekada kishte ndarë jo vetëm një qytet por një shtet, dhe të gjithë Evropën, u shemb në nëntor të vitit 1989 dhe historia përshpejtoi marshimin e saj. Momente të tilla provojnë përgjegjësinë dhe mençurinë e burrave të shtetit.
Ndryshimet e vonuara në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore kishin marrë një impuls të fuqishëm nga procesi demokratik që tashmë po zhvillohej në Bashkimin Sovjetik. Kërkesat e njerëzve po bëheshin gjithnjë e më urgjente dhe radikale.
Në vjeshtën e vitit 1989 situata në Gjermaninë Lindore – RDGJ – u bë shpërthyese. Grupe të mëdha njerëzish po largoheshin nga vendi; qytetarët largoheshin në masë përmes Hungarisë dhe Çekosllovakisë, të cilat kishin hapur kufijtë e tyre perëndimorë. Në qytetet e mëdha, njerëzit dolën në rrugë, duke protestuar në mënyrë paqësore, por dhuna me pasoja përtej kontrollit të cilitdo, nuk mund të përjashtohej.
Në tetor të vitit 1989, ndoqa festimet në Berlinin Lindor me rastin e 40-vjetorit të krijimit të RDGJ-së. Ndërsa përshëndetja kolonat e pjesëmarrësve në paradë, ndjeva pothuajse fizikisht pakënaqësinë e njerëzve. Ne e dinim që ata ishin përzgjedhur me kujdes, gjë që e bënte sjelljen e tyre edhe më të habitshme. Ata brohorisnin: Perestroika! Gorbaçov, ndihmë!
Ngjarjet që pasuan konfirmuan se regjimi i RDGJ po humbte terren me shpejtësi. Protestat dhe kërkesat politike – nga liria e emigrimit tek liria e fjalës dhe shpërbërja e organeve qeveritare, e deri te ribashkimi i Gjermanisë – po fitonin.
Rënia e Murit të Berlinit nuk ishte pra, një surprizë për ne. Fakti që ndodhi në 9 nëntor 1989, ishte rezultat i rrethanave specifike dhe evolucionit të gjendjes shpirtërore të popullit.
Në ato kushte, hapi i parë i udhëheqjes sovjetike ishte të përjashtonte mundësinë e përdorimit të forcës ushtarake, nga trupat sovjetike të vendosura në RDGJ. Në të njëjtën kohë, ne bëmë të pamundurën për të siguruar që procesi të lëvizte përgjatë linjave paqësore, pa cënuar interesat jetike të vendit tonë, apo dëmtuar paqen në Evropë.
Kjo ishte jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse pas rënies së Murit, zhvillimet në RDGJ u bënë gjithnjë e më të turbullta. Ribashkimi i Gjermanisë ishte tani në rend të ditës, dhe kjo do të shkaktonte shqetësim midis qytetarëve sovjetikë, shumë prej të cilëve u alarmuan.
Shqetësimi i tyre ishte i kuptueshëm, si historikisht, ashtu edhe psikologjikisht. Ne duhej të llogaritnim kujtesën e njerëzve për luftën, tmerret dhe viktimat e saj. Sigurisht që gjermanët kishin ndryshuar; ata kishin nxjerrë mësimet e mbretërimit të Hitlerit dhe Luftës së Dytë Botërore. Por ka gjëra që nuk mund të fshihen nga historia. Unë i thashë kancelarit Kohl, se është e rëndësishme që gjermanët të administrojnë ribashkimin, të respektojnë ndjenjat e popujve të tjerë, si dhe interesat e tyre.
Ne nuk ishim të vetmit që kishim këto shqetësime.
Aleatët e Republikës Federale të Gjermanisë (RFGJ) në NATO – Franca, Britania e Madhe, Italia – nuk donin një ribashkim të shpejtë. E kuptova këtë, që nga bisedimet e mia me drejtuesit e tyre. Në secilin prej vendeve që kishin vuajtur nga agresioni, kishte frikë – sikur të ishte e ngulitur në gjenet e tyre – se bashkimi i RFGJ dhe RDGJ do të rrisë fuqinë e Gjermanisë. Ata kishin arsye serioze, megjithëse të pashprehura, historike dhe politike për frikëra të tilla.
Unë mendoj se anëtarët evropianë të NATO-s nuk do të ishin kundër për të përdorur Gorbaçovin, për t’i vënë fre ribashkimit. Por e kuptova se t’i rezistosh një procesi që ishte objektivisht i pashmangshëm dhe, aq më tepër, të përdorësh forcë në çfarëdo forme mund të çojë në pasoja të paparashikueshme: një shpërthim në qendër të Evropës, një rifillim i Luftës së Ftohtë dhe kush e di çfarë tjetër! Ishte detyrë e të gjithë ne që ta shmangnim këtë.
Sot, duke lexuar disa komente dhe kujtime të asaj kohe, mund të krijohet përshtypja se procesi i ribashkimit ishte një gjë e kollajtë, se gjithçka erdhi diku nga lart, apo që gjithçka ndodhi si rezultat i fatit a naivitetit të disa palëve. Por nuk ishte kështu.
Negociatat dy plus katër përfshinë dy shtetet gjermane, Bashkimin Sovjetik, SHBA, Francën dhe Britaninë nuk mund të ishin një udhëtim i lehtë. Kishte debate e polemika dhe përplasje mendimesh, dhe nganjëherë dukej se keqkuptimi do t’i shkatërronte negociatat.
Por ato përfunduan me sukses, sepse palët në këtë proces të ndërlikuar diplomatik treguan largpamësi, si dhe guxim dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie.
Megjithatë, kur më pyesin se kë konsideroj si heroin kryesor të asaj kohe plot dramë dhe trazirë, unë përgjigjem gjithmonë: popullin. Nuk po e mohoj rolin e politikanëve. Ata ishin shumë të rëndësishëm. Por ishin njerëzit – dy popuj – ata që kishin më shumë rëndësi. Gjermanët, të cilët shpallën vullnetin e tyre për unitet kombëtar me vendosmëri dhe, më e rëndësishmja, në një mënyrë paqësore. Dhe natyrisht rusët, të cilët i kuptuan aspiratat e gjermanëve, të cilët besuan se Gjermania me të vërtetë kishte ndryshuar dhe mbështetën kështu, vullnetin e popullit gjerman.
Rusët dhe gjermanët mund të jenë krenarë që pas gjakderdhjes tragjike të luftës, ata e kuptuan njëri-tjetrin. Po të mos ishin ata, qeveria sovjetike nuk do të kishte mundësi të vepronte ashtu si veproi.
Ne hartuam një vijë finale, nën Luftën e Ftohtë. Qëllimi ynë ishte një Evropë e re: një Evropë pa vija ndarëse. Udhëheqësit që erdhën pas nesh, nuk kanë arritur ta realizojnë atë objektiv. Një arkitekturë moderne e sigurisë, një mekanizëm i fortë për parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve nuk është krijuar në Evropë. Prandaj ndodhin edhe problemet dhe konfliktet e dhimbshme që rrethojnë kontinentin tonë sot. Unë u bëj thirrje udhëheqësve botërorë që të përballen me ato probleme dhe të rifillojnë dialogun për hir të së ardhmes. / Time – Bota.al
Gorbaçov, një laureat i Çmimit Nobel, ishte i vetmi President i Bashkimit Sovjetik