Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka dalë sot në një konferencë për shtyp.
Ai deklaroi se në rastin e skandalit me tenderin e Ujësjellësit të Memaliajt, kryeministri Edi Rama rrezikon deri në 12 vite burg.
Sipas tij, Rama ka shkelur dy nene dhe shteti i banditëve që ka krijuar nuk ka lidhje me kushtetutën dhe qytetarët.
Kreu i PL-së lexoi nenin 248 dhe 258 për shpërdorim detyre dhe shkelje te barazisë ne tendera dhe sipas tij vetëm ne nje rast, dënimi shkon deri ne 12 vite burg.
“E kuptueshme për çdo qytetar që i ka sytë në ballë për të kuptuar se jetojnë në kushtet e një shteti banditësh dhe jo të një shteti të së drejtës, të demokracisë, të funksionimit të ligjit, të meritokracisë, të konkurrencës së lirë dhe të ndershme. Është e qartë se nuk kemi të bëjmë me një rast të veçante, do të ekspozojmë edhe raste të tjera flagrante të shpërdorimit të detyrës
Pra në shtetin e këtyre banditëve që nuk ka lidhje me kushtetutën tonë, me marrëveshjen e stabilizimit asociimit dhe me anëtarësimin në BE gjithçka bëhet fakti i krye, pazaret bëhen më parë.
Rama së bashku me ministrin del dhe thotë fillojnë punimet për qëllim elektorale, ndërkohë që kjo është në proces tenderimi. Edhe kontrata lidhet pas tre muajsh. Ua kam thënë që përgjigjet e Edi Ramës do të jenë me ligjet e tij, me provat e tij me ligjet e tij dhe ne nuk do falsifikojmë asgjë.
Për rastin konkret, neni 248 i shkeljeve penale për shpërdorimin e detyrës e bën të qartë që kryerja ose mos kryerja me dashje e veprimeve ose mosveprimeve në kundërshtim me ligjin që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës nga personi që ushtron funksione publike, nëse nuk përben vepër tjetër penale dënohet me burgim deri në 7 vjet.
Kalojmë tek neni tjetër i shkelur qartësisht, neni 258. Shkelja e barazisë në tendera apo ankande publike, që bën të qartë se nëse një vepër publike kur kryhet ne tender me vlerë mbi 800 mijë lekë, që kjo e kalon sepse është gati 4 mln euro dënohet me burgim nga 1-5 vjet. Sa më e lartë të jetë vlera aq më i madh është dëmi i shkaktuar nga publiku. 7 dhe 5 bëhen 12 për një rast”, tha Meta.