Departamenti amerikan i Shtetit deklaroi se vota për rrëzimin e qeverisë së Malit të Zi, përbënte demokraci parlamentare në veprim, përmes së cilës populli i Malit të Zi mban qeverinë përgjegjëse nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur.
Komenti ishte në përgjigje të një kërkese të Zërit të Amerikës për një koment lidhur me mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së kryeministrit Dritan Abazoviç.
“Shtetet e Bashkuara presin që Mali i Zi të ndjekë procedurat ligjore ose për formimin e shpejtë të një qeverie të re në shërbim të vendit, ose për thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.
“Shtetet e Bashkuara do të mbështesin çdo qeveri të formuar në mënyrë demokratike, e cila siguron përparimin e Malit të Zi në rrugën euro-atlantike, që përfshin përshpejtimin e anëtarësimit në BE, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, rritjen e rolit në NATO, një shoqëri gjithëpërfshirëse dhe me orientim qytetar, dhe që vazhdon të mbajë përgjegjëse Rusinë për luftën e saj brutale kundër Ukrainës“, vazhdon reagimi.
Në përgjigje të pyetjes së shërbimit serb të Zërit të Amerikës, nëse Shtetet e Bashkuara do të mbështesnin përfshirjen e partisë pro-ruse Fronti Demokratik, në një qeveri të re, zëdhënësi rikonfirmoi qëndrimin ndaj kësaj force.
“Siç e kemi thënë më parë, Shtetet e Bashkuara nuk e shohin Frontin Demokratik si partner sepse ai nuk mbështet vlerat evropiane, përfshirë faktin që nuk e ka dënuar agresionin e Rusisë kundër Ukrainës dhe nuk ka treguar udhëheqje apo vullnet për të bërë përparim në reformat kyçe të nevojshme për anëtarësimin në BE”, tha zëdhënësi.Voa