Në bregdetin e Shëngjinit një tragjedi u shmang dy ditë më parë.
Robert Neçaj, një djali i ri shpëtoi nga mbytja dy shtetas nga Kosova, vëlla e motër.
I riu u shpëtoi jetën dy adolenshentëve, por për pak ka humbur jetë, për shkak të dëmtimeve të shumta që pësoi gjatë procesit.
Familja e Robertit ka reaguar sot në lidhje me ngjarjen.
Babai i tij, me anë të një postimi në Facebook, ka lajmëruar se fatmirësisht i biri është jashtë rrezikut për jetën, ndërsa ka shpjeguar edhe detaje mbi ngjarjen.
Postimi i plotë:
Për të gjithë Ju,njerëzit e mi të dashur pjestarë të kësaj faqeje,
FALENDERIME PA FUND!
Pardje familja jonë u gjend përpara një momenti të papritur dhe shumë të vështirë.
Ju falenderojmë shumë për mesazhet tuaja, me të cilat na forcuat për ta përballuar këtë tronditje!Faleminderit për vlerësimin që i keni bërë rastit të djalit tonë,Robertit,në sensin e humanizmit dhe dhimbjes njerëzore!
Falë humanizmit dhe ndjenjës së korrektësisë në punë, Roberti u bë pre e ngjarjes së pardjeshme.
Është kënaqësi e jona që ai sakrifikoi për shpëtimin e dy jetëve të dy të rinjve,vëlla e motër adoleshentë.
Ndihemi shumë të lumtur që më në fund shpëtoi edhe jeta e Robertit, falë përgatitjes së tij profesionale dhe kujdesit të organeve shëndetësore të spitalit të Lezhës.
Për ata që janë kurioz sqarojmë se Roberti nuk ka qënë vrojtues në atë zonë.
Ora ka qënë rreth 19:30, kur Roberti ka shkuar si zv /President i Federatës së Vrojtuese të plazhit për të shpërndarë mjete pune për Vrojtuesit në Shëngjin.
Dy adoleshentë kosovarë 16-17 vjeç, vëlla e motër, i ka tërhequr deti kur kanë hyrë në ujë,në një vend, jashtë zonës së mbulimit nga vrojtuesit e plazhit, tek Rana e Hedhun.
Djalin e kapi epilepsia(sëmundja e tokës), ndërsa vajza tmerrohet.
Ata arrijnë aty ku deti kishte deri në 4-5 m thellësi dhe trazira!
Ata fillojnë të kërkojnë ndihmë.
Por, si një ditë me pak reshje shiu, në orar të vonë dhe larg mundësive për ndihmë, aty afër pothuajse nuk kishte njerëz.
Në këtë moment Roberti vendos të ndërhyjë për t’i ndihmuar,ndonëse e parashikonte rrezikun.
Por ” i mbyturi të mbyt”.
I “sulmuar” nga të dy të rinjtë, për të mos u mbytur, Roberti nuk tërhiqet, por fundoset disa herë duke i mbajtur kokat e tyre jashtë ujit .
Ai i mbron të rinjtë por pin shumë ujë vetë.
Kur i nxjerr ata në cektësi, vetë mbetet pa ndjenja sapo mbërrin në breg.
Tashmë Roberti është përmirësuar mirë dhe ndihet i lumtur për suksesin e arritur!
Faleminderit me përultësi të gjithëve!
Familja.