Edhe pse qeveria e Talebanëve në Afganistan erdhi në pushtet me premtime të shumta pas largimit të amerikanëve, duket se vendi është tashmë i gjunjëzuar dhe qytetarët janë në një gjendje të dëshpëruar.
Media prestigjioze The Guardian sjell një pasqyrim të situatës në këtë shtet nën regjimin e talebanëve.
Maryam, ky nuk është emri i saj i vërtetë, ndjek klasën e gjashtë në Kabul, ndërkohë që sipas rregullave të qeverisë së re, shkollimi i saj do të përfundojë shumë shpejt, pas vetëm disa muajsh.
Por 10-vjeçarja, ka një “strategji” për të qëndruar edhe një vit në shkollë.
“Do të sigurohem që të mos u përgjigjem saktë shumë pyetjeve. Kam vendosur të ngel në klasë, kështu që mund të studioj përsëri klasën e gjashtë”, ka zbuluar vogëlushja planin e saj.
Ky është Afganistani gati një vit pasi talebanët morën kontrollin e vendit.
Të rinjtë, në vend që të shfrytëzojnë potencialin e tyre intetektual në të mirë të vendit, detyrohen të “shpikin” plane të tilla, në tentativa për t’ia hedhur sistemit.
Në fushatën e tyre për Afganistanin dhe në bisedimet ndërkombëtare me SHBA-në, talebanët premtuan një version paksa të zbutur të ekstremizmit të tyre puritanist, duke deklaruar se do të sillnin paqe dhe stabilitet në një vend të pushtuar nga dekada lufte.
Talebanët kishin deklaruar se gratë do të kishin të drejtën të punonin, ndërsa pas përfundimit të luftës ekonomia vendase do të kishte më shumë hapësira për tu rritur,
Pothuajse një vit më vonë, ai vizion duket gjithnjë e më i shumë me i largët.
Tashmë jeta e qytetarëve afganë është ne ndarë në dy epoka, para dhe pas “Dari”, një term që në gjuhën afgane nënkupton rënie apo kolaps.
Qeveria talebane është një qeveri e izoluar, një ekzekutiv që nuk njihet nga asnjë shtet tjetër, madje as nga aleatët e dikurshëm.
Ndërkohë që vëmendja e tërë botës është përqendruar në luftën në Ukrainë, gratë në Afganistan përballen me kufizime më të ashpra, përfshirë ndalimin e arsimit të mesëm, faktin që janë të detyruara që të jenë të shoqëruar nga një mashkull në çdo udhëtim të tyrin si dhe detyrimi për të mbuluar fytyrën në publik.
“Tri herë kam parë gra të rrahura në treg nga talebanët. Disa kishin veshur pantallona të cilat sipas tyre ishin të ngushta, duhet ta kishit parë se në çfarë gjendje emocionale ishin ato më pas.
Një herë tjetër ata rrahën vajza vetëm sepse po buzëqeshnin dhe flisnin me zë që sipas tyre ishte shumë i lartë. Është një gjë e natyrshme të bisedosh për gjërat që po blen në treg”, tha një 16 vjeçare, e cila duhej të linte shkollën në shtator dhe po luftonte me depresionin.
Ajo ka treguar se nuk kishte një veshje abaja të gjatë, të zezë dhe familja e saj nuk kishte mundësi ekonomike që ta blinte.
“Që atëherë unë madje kam ndaluar së shkuari në medrese [shkollë fetare], është më mirë të jem në shtëpi sesa të përplasem me këto kafshë,” tha ajo.
Kolapsi ekonomik
Ekonomia është rrënuar me të paktën një të tretën, pasi sanksionet ndërkombëtare mbi talebanët ndërprenë tregtinë dhe ndihmat.
“Ne nuk ishim të lidhur politikisht me qeverinë e fundit, por talebanët thjesht po hakmerren që ne ishim këtu duke bërë biznes”, tha një sipërmarrës i madh që ka pushuar nga puna pothuajse 500 pjesëtarë të stafit pasi pajisjet iu konfiskuan dhe licencat u pezulluan në disa sektorë.
Ai është i frustruar, por edhe i hutuar nga qasja afatshkurtër e autoriteteve. Dyqanet e tij qëndrojnë bosh, megjithëse regjimi i ri e di nga përvoja se sa fitimprurës mund të jenë.
“I kisha paguar mbi 3 milionë dollarë ‘taksa’ të detyruara. Ka kaq shumë biznese të cilat tashmë kanë falimentuar ndërsa nëse kjo situatë vijon edhe për më shumë është e sigurt se ky numër do të rritet edhe më tej”, tha ai.
Për personat të cilit ishin të pasur deri në momentin e marrjes së pushtetit nga talebanët, ardhja në pushtet e tyre i ka dhënë fund luksit, por shumë nga ish-klasat e mesme janë zhytur pothuajse brenda natës në varfëri dhe uri.
Të paktën gjysma e popullsisë tani mbështetet në ndihmën ushqimore, të cilën jo shpesh mund ta marrin.
Një çift, të dy të punësuar në shtetin e mëparshëm afgan, janë pushuar nga puna pas ardhjes në pushtet të talebanëve. Tashmë gruaja detyrohet të rrijë në shtëpi, ndërsa bashkëshorti i saj detyrohet të kërkojë punë të rëndomta buzë rrugës dhe është me fat nëse gjen diçka për të cilën mund të paguhet 2 dollarë në ditë.
“Unë kurrë nuk e kam bërë këtë në jetën time dhe është e vështirë për mua, por kam një familje për të mbajtur. Betohem se aktualisht nuk kam asnjë para në shtëpi, nëna ime ka diabet dhe nuk kemi para për mjekimin e saj,” thotë ai.
Ikja e trurit të vendit pas largimit të amerikanëve e ka bërë edhe më të vështirë drejtimin e vendit.
“Banka qendrore, duke luftuar me rezervat e ngrira dhe sanksionet, ka mbajtur vetëm staf të nivelit të mesëm dhe të ulët, me menaxherët e lartë më me përvojë që ikin jashtë vendit”, tha për Observer një bankier i cili ka qenë i përfshirë në muaj të tërë bisedimesh për krizën .
Një fushë ku talebanët shënuan njëfarë suksesi ishte lufta kundër niveleve të turpshme të korrupsionit që kanë dëmtuar administratat e 20 viteve të fundit, por përparimi i tyre atje po ngadalësohet.