Shërohet një burrë i cili ka jetuar që prej viteve 80’ me virusin HIV dhe ky sipas mjekëve është rasti i katërt.
Sipas informacioneve, atij iu dha një transplant i palcës së eshtrave për të trajtuar leuçeminë nga një dhurues që ishte natyralisht rezistent ndaj virusit.
66-vjeçari, i cili nuk dëshiron të identifikohet, ka ndërprerë mjekimin për HIV. Ai tha se ishte “përtej mirënjohjes” që virusi nuk mund të gjendej më në trupin e tij.
Burri njihet si pacienti i “Qytetit të Shpresës” pas spitalit ku u trajtua në Duarte, Kaliforni.
Shumë nga miqtë e tij vdiqën nga HIV në epokën përpara se ilaçet antiretrovirale t’u jepnin njerëzve një jetëgjatësi pothuajse normale.
“Nuk e kisha menduar kurrë se do ta shihja ditën”
Virusi i mungesës së imunitetit të njeriut (HIV) dëmton sistemin imunitar të trupit. Kjo mund të çojë në AIDS (sindromi i mungesës së imunitetit të fituar) dhe trupi përpiqet të luftojë infeksionin.
Në një deklaratë, burri tha: “Kur u diagnostikova me HIV në 1988, si shumë të tjerë, mendova se ishte një dënim me vdekje.
“Nuk e kisha menduar kurrë se do të jetoja deri në ditën që nuk do të kisha më HIV”.
Megjithatë, atij nuk iu dha terapia për HIV-in e tij, por sepse iu shfaq kanceri i gjakut leuçemia në moshën 63-vjeçare.
Ekipi mjekësor i burrit vendosi se ai kishte nevojë për një transplant të palcës kockore për të zëvendësuar qelizat e tij kancerogjene të gjakut. Rastësisht, dhuruesi ishte rezistent ndaj HIV.
Virusi hyn në qelizat e bardha të gjakut të trupit tonë duke përdorur një portë mikroskopike – një proteinë e quajtur CCR5.
Megjithatë, disa njerëz, duke përfshirë edhe donatorin, kanë mutacione CCR5 që mbyllin derën dhe mbajnë jashtë HIV-in.
Ilaçi mbetet ‘Grali i Shenjtë’
Pacienti i “Qytetit të Shpresës” u monitorua nga afër pas transplantimit dhe nivelet e HIV-it u bënë të pazbulueshme në trupin e tij.
Ai tani është në remision për më shumë se 17 muaj.
“Ne ishim të entuziazmuar që i njoftuam se HIV-i i tij është zhdukur dhe ai nuk ka më nevojë të marrë terapi antiretrovirale që kishte marrë për më shumë se 30 vjet”, tha Dr Jana Dickter, një mjeke e sëmundjeve infektive në City of Hope.
Hera e parë që ndodhi kjo ishte në vitin 2011 kur Timothy Ray Broën – i njohur si Pacienti i Berlinit – u bë personi i parë në botë që u shërua nga HIV.
Tashmë ka pasur tre raste të ngjashme në tre vitet e fundit.
Pacienti i Qytetit të Shpresës është edhe pacienti më i vjetër që trajtohet në këtë mënyrë dhe ai që ka jetuar me HIV për kohën më të gjatë.
Megjithatë, transplantet e palcës së eshtrave nuk do të revolucionarizojnë trajtimin e HIV për 38 milionë njerëz në botë të infektuar aktualisht.
Dr Dickter më tha: “Është një procedurë komplekse me efekte anësore të mundshme. Pra, nuk është me të vërtetë një opsion i përshtatshëm për shumicën e njerëzve që jetojnë me HIV.”
Sidoqoftë, studiuesit po shikojnë mënyra për të synuar derën e CCR5 duke përdorur terapinë gjenetike si një trajtim të mundshëm.
Rasti u raportua në konferencën e Aids 2022 në Montreal, Kanada.
Duke komentuar gjetjet, Prof. Sharon Leëin, president i zgjedhur i Shoqatës Ndërkombëtare të Sidës, tha: “Një kurë mbetet Grali i Shenjtë i kërkimit për HIV”.
Ajo tha se kishte pasur një “një grusht rastesh individuale kurimi më parë” dhe ato siguruan “shpresë të vazhdueshme për njerëzit që jetonin me HIV dhe frymëzim për komunitetin shkencor”.