Posedimi i aftësisë për të dhënë prezantime të suksesshme gjeneron interes për biznesin tuaj, ju ndihmon ta shisni produktin dhe shërbimin dhe të avanconi në karrierë. Prezantimi i mirë nuk krijon boshllëqe ndërmjet jush dhe audiencës, ai është ndarje e përvojës dhe mirëkuptim reciprok.
Në këtë artikull, do t’i listojmë disa nga elementet më të rëndësishme të prezantimeve të suksesshme:
Përgatitje e detajuar
Elementi i parë shumë i rëndësishëm është përgatitja në detaje e prezantimit, për t’u përputhur me nevojat dhe interesat e audiencës. Hulumtimi dhe përgatitja paraprake ju ndihmon të përshtateni me audiencën që keni, në këtë mënyrë do të jeni më afër tyre e rrjedhimisht edhe biznesi juaj do të jetë më i kërkuar.
Përgatitja e materialit
Bëjeni shprehi që materialin të cilin keni për ta prezantuar ta bëni përpara pasqyrës, duke e incizuar veten ose të kërkoni nga familja dhe miqtë t’ju dëgjojnë! Kjo ju ndihmon që të merrni mendime të menjëhershme dhe t’i largoni informacionet e panevojshme.
Disa këshilla për të krijuar një mjedis të shëndetshëm pune
Hidhni karremin
Kjo është një pjesë tjetër e rëndësishme. Nëse nuk mund ta fitoni vëmendjen e publikut në fillim, nuk do të mundeni as në mes e as në fund. Fillimi është çelësi i gjithçkaje. Karremi përfshin ndonjë statistikë ose fakt interesant, thënie interesante, pyetje të rëndësishme, shaka ose ngjarje.
Strukturë e fjalimit
Të gjitha prezantimet e suksesshme kanë fillim, mes dhe fund. Statistikat e rëndësishme, paraqitja e produktit dhe ndonjë ngjarje e rëndësishme që lidhet me ju është krejt çka kërkohet për të pasur sukses.
Angazhoni audiencën
Kurdo që keni mundësi duhet ta angazhoni audiencën. Mos e lini të gërhasë! Krijoni kontakte me sy, bëni pyetje direkte, krijoni ndonjë lojë, etj.
Multimedia
Videoprezantimet ose formate të tjera mbështetëse janë shumë të rëndësishme gjatë prezantimit. Por, kujdes, nëse ato janë të mbingarkuara do ta arrini efektin e kundër te audienca. Gjithçka duhet të jetë më e pastër sa i përket teksteve, por të ketë më shumë pamje që ua lehtëson anëtarëve të publikut t’i thithin përmbajtjet.
Informacionet e kontaktit
Në prezantim përfshini edhe informatat tuaja të kontaktit, si emrin mbiemrin, numrin e telefonit, e-mailin, pozitën që keni në kompani etj. Në këtë mënyrë anëtarët e interesuar do të mund të bëjnë pyetje edhe pasi të ketë përfunduar prezantimi.
Thirrni në veprim
Thirrja për ta blerë produktin, për të qenë pjesë e grupit ose për ta pëlqyer faqen është përmbyllja më e mirë e fjalimit. Kjo madje do ta angazhojë edhe audiencën duke u lënë atyre hapësirë për të bërë edhe pyetje për gjërat që u kanë interesuar. /Akademi Pune/KP/