Avokatët janë shprehur të vendosur për të përshkallëzuar aksionin e tyre kundër Hartës së re Gjyqësore.
Ata e kundërshtojnë këtë nismë që prej 1 muaji.
Sipas një vendimi të marrë dje, avokatë nga e gjithë Shqipëria kanë vendosur që të protestojnë më 14 korrik përpara godinës së Këshillit të Lartë të Gjyqësorit. Avokatët prej gati një muaji janë në protestë dhe kanë bojkotuar seancat gjyqësore pasi nuk pranojnë ndryshimet në Hartën e re Gjyqësore e cila e lë vendin me vetëm një Gjykatë Apeli në Tiranë dhe shkrin disa Gjykata në rrethe.
Avokatët kanë kërkuar dhe mbështetjen e qytetarëve duke u shprehur se do tu rëndojë në xhepat e tyre pasi do rriten kostot e ndjekjes së gjyqeve. “Lidhur me projekt draftin e hartës gjyqësore dhe qëndrimin e vlerësuar. Të premten, KLGJ mori vendimin për miratimin e draftit me një ndryshim të vetëm. Tashmë ishte realitet që tavolinat kanë qenë farse propagandistike. Në këto kushte vendosëm të bojkotojmë të gjitha proceset në të gjitha nivelet e gjykimit, përfshi Gjykatën e Lartë. Procesi fillon nesër dhe mbaron të premten. Me këtë bojkot synojmë të sensibilizojmë të gjithë shtetasit se duhet ta kenë të qartë të gjithë personat fizik dhe juridik që nëse duan të kenë zgjidhje të cështjeve gjyqëosre, të ndërgjegjësohen duke dhënë mesazhin që interesat e tyre nuk po përfaqësohen, përkundrazi kjo hartë cënon rëndë aksesin në drejtësi të individëve dhe personave juridik dhe rrit kostot dhe shpenzimet”, deklaroi pak ditë më parë Haxhia. Nga ana tjetër Kryeministri është shprehur se harta është ajo që është dhe nuk ndryshon pavarësisht protestave.
Reagon Ministria e Drejtësisë
Por ndërsa Harta e Re gjyqësore kundërshtohet nga avokatet të cilët vazhdojnë bojkotin ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja se drafti do t’i përcillet shumë shpejt qeverisë. “Të gjitha diskutimet mbi hartën kemi lënë një ditë të dedikuar, do të kemi përgjigjet e duhura nesër në Komisionin e Ligjeve. Nesër do të shkojmë në respekt të Komisionit të Ligjeve, pas seancës dëgjimore nesër në Komisionin e ligjeve dhe miratimin nga Ministria e Financave, harta do të shkojë në qeveri për miratim”, deklaroi Manja. Ndërkohë gjatë një takimi konsultues për projektligjin “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, ministri i Drejtësisë bëri me dije se do të adresohet çdo lloj abuzimi me synim mbrojtjen e qytetarëve. “Projektligji jo vetëm që përmirëson dhe zgjeron të drejtat e tyre të parashikuara nga ligji në fuqi, por parashikon për herë të parë edhe të drejta të reja si e drejta për t’u harruar dhe e drejta për transferueshmërinë e të dhënave. Parashikohen edhe detyrime të reja për kontrolluesit dhe përpunuesit si: kryerja e vlerësimit të ndikimit në mbrojtjen e të dhënave personale përpara fillimit të një procesi përpunimi. Parashikohen për herë të parë rregulla mbi përpunimin e të dhënave personale nga autoritetet kompetente për sigurinë publike ose kombëtare dhe për parandalimin dhe ndjekjen e veprave penale”, nënvizoi ministri Manja. Me projektligjin “Për mbrojtjen e të dhënave personale” do të ketë edhe një sistem të ri sanksionesh administrative për shkeljen e dispozitave të tij. Kështu masa e gjobës do të rritet, duke u unifikuar me atë që zbatohet sot në vendet e Bashkimit Europian.
Ja pse po kundërshtohet Harta e re Gjyqësore nga avokatët
- Së pari, që të kalosh në këto kuota, nga 6 në 1 gjykatë, nga shteti duhej të ishte ndërtuar infrastruktura e duhur 5 vite më parë, duke përfshirë ambientet për të burgosurit, shërbimi i arkivës, protokollit, ndihmësit, sallat gjyqësore. Për të realizuar këtë shërbim gjyqësor së paku nevojitet një godinë gjigante.
- Së dyti, shkrirja e gjykatave të Apelit në rrethe domosdoshmërisht do të sjellë në Tiranë gjyqtarët dhe çështjet gjyqësore që janë duke ndjekur. Kjo do të sjellë shtimin e numrit të dosjeve, duke marrë në konsideratë edhe dosjet aktuale të pashqyrtuara në Apelin e Tiranës. Pra rishpërndarja e gjykatave nuk do t’i shërbejë shpejtësisë për shqyrtimin e dosjeve gjyqësore. Në këto kushte rrezikohet të krijohet kaos. Në këtë situatë, është e domosdoshme të gjendet një model që mundëson edhe aksesin e avokatit në çështjet gjyqësore, por edhe shpejtësinë në shqyrtimin e dosjeve.
- Së treti, për shkak të largësisë fizike të gjykatave, shpenzimet e qytetarëve për avokatët do të rriten, çka pritet të intimidojë aksesin e qytetarëve në drejtësi. Shumë prej tyre, për shkak të rritjes së shpenzimeve mund të heqin dorë nga gjykimi i çështjeve. Kjo prek, po ashtu, edhe shumë zyra të avokatëve në rrethe, të cilët duhet të ndjekin çështjet në Tiranë. P.sh., një avokat në qytetin e Gjirokastrës ka investuar prej vitesh për zyrën në qytetin e tij, pranë së cilës ka edhe familjen.
- Harta e re gjyqësore jo vetëm e “çorodit” profesionin e avokatit, i cili duhet t’ia nisë gjithçka nga e para, por në të tilla kushte kufizohet edhe aksesi i avokatit për të ushtruar profesionin. Për këto arsye është e domosdoshme të gjendet një skemë ku të gjithë të kenë akses në drejtësi, që nga qytetarët deri tek avokati dhe në kohë sa më të shpejtë, pasi “një drejtësi e vonuar është një drejtësi e mohuar”.