Me ligjin e ri të amnistisë fiskale Shqipëria do të kthehet në lavatriçe të pastrimit të parave të krimit dhe financimit të terrorizmit. Kështu është shprehur në studion e A2 Business me gazetaren Aurora Sulçe, juristi Besnik Muçi sipas të cilit, kjo është amnisti penale dhe jo fiskale. Duke e cilësuar Shqipërinë si vend tranzit për trafikun e drogës dhe në kushtet e ekonomisë informale, Muçi rendi rreziqet nga ky ligj
“Shqiptarët duhet ta dinë që nuk kemi të bëjmë me amnisti fiskale, por amnisti penale. Pavarësisht se shitet si amnisti fiskale, në thelb kemi të bëjmë me amnisti penale. Shqipëria do të shndërrohet në një lavatriçe të pastrimit të parave të krimit dhe financimit të terrorizmit. Ne aktualisht jemi vend i pastrimit të parave, përsa kohë që kemi 40% të ekonomisë informale, por pas këtij ligji do shndërrohemi në lavatriçe ndërkombëtare. Kemi një vepër të rëndë penale që dënohet deri në 35 vjet burg. Kemi të bëjmë me mospagim taksash e fshehje e të ardhurave. Kemi të bëjmë me një amnisti shumë të gjerë penale. Ligji amniston të drejtën për të ligjëruar të ardhura e pronat e kanë edhe të huajt të drejtën e amnistisë me kushtin e një biznesi në Shqipëri”.
Amnistia fiskale, skema e deklarimit të pasurive, afatet dhe tatimi që do paguhet
Për juristin Muçi emigrantët do të jenë kategoria e fundit, ndërsa e konsideron gafë legjislative amnistimin e pasurive të shtetasve shqiptarë jashtë Shqipërisë.
“Emigrantët do të jenë kategoria e fundit. Si mund të amnistohen pasuritë e shtetasve shqiptarë jashtë Shqipërisë. Kjo është një gafë legjislative. Riatdhesimi i pasurive. Si mund të riatdhesohen paratë? Që të ndodhe kjo do të ketë marrëveshje me vendet e huaja. Është çështje shkeljesh parimesh dhe mënyrës si është rregulluar qarkullimi i parasë sot. Dhe në fund fare; neni 18 i jep të drejtë agjencisë speciale që të japë certifikatë amnistie, pasi personi bën këto deklarime merr certifikatë që nuk ndiqet penalisht për vepra penale të lidhura me këto para. Ato mund të kenë lidhje me financimin e terrorizmit dhe krimin e organizuar. Me këtë ligj amnistohen një kategori e gjerë veprash penale. Kush do japë certifikatë amnistie kur ligji nuk e jep?
Në të njëjtën linjë edhe ekspertja për ekonominë Teuta Nunaj, e cila tha se ky ligj lë hapësira për boshllëqe dhe interpretime, ndërsa përfitues të padeklaruar janë edhe bankat e nivelit të dytë. Sipas saj nuk ka transparencë dhe garanci për mbrojtjen e të dhënave të qytetarëve.
“Mbështes atë që tha avokati, kjo është thembra e Akilit e amnistisë. Një nga përfituesit janë edhe bankat e nivelit të dytë se çdo përfitues duhet ta derdhë vlerën në bankë dhe rritet vlera në bankë. Dhe këta janë përfitues të padeklaruar pro që janë organizata që e përfitojnë drejtpërdrejt. Vlera 2 mln është shumë e madhe dhe nuk ka transparencë. Ligji lejon boshllëqe dhe mundësi për interpretime. Njësia që do ketë në dorë kontrollin dhe ruajtjen e këtyre të dhënave. Ky ligj nuk e mbron dhe nuk shpreh garancinë që mund të ketë qytetari që këta individë janë të sigurt se vitet e fundit është dëshmuar që shumë të dhëna kanë dalë në treg. Ka dy momente që ligji nuk i ka zbardhur”.
Por ndryshe e sheh zv.kryetarja e Dhomës së Diasporës, Elisabeta Katiaj. Sipas saj ky ligj ka efekte pozitive që do të sjellë zhvillimin e tregjeve duke rregulluar llogaritë kontabël të bizneseve. Ajo thekson se rreziku qëndron te deklaratat e rreme që individi mund të plotësojë dhe mbikëqyrja e tyre kërkon kujdes, por shton se amnisti të tilla kanë rezultuar të suksesshme në vendet ku janë aplikuar.
“Është një impuls i duhur në kohë të duhur që do të sjellë zhvillim të tregjeve. Nuk mund të themi që është situatë e dedikuar, por shoh hapësira për të rregulluar llogaritë kontabël te biznesi. Lind detyrimi dhe nevoja për të bërë auditin e pasqyrave financiare në vite dhe të kalojnë në paqe fiskale e tatimore për të parandaluar korrupsionin dhe të kontrolleve jo të drejta të tatim paguesve. Ky ligj vjen pas diskutimesh të herë pas hershme. Biznesi ka patur aktivizim serioz me këtë çështje dhe ka dërguar shumë këshilla e rekomandime. Tavani 2 mln euro nuk është vetëm për cash por edhe për pasuri të patundshme. Kjo është vlerë e arsyeshme. Rreziku qëndron te deklarata e rreme se rrezikon që individi të plotësojë deklarata të rreme dhe mbikëqyrja e tyre kërkon kujdes. Amnisti të tilla ka pasur dhe Italia dhe Norvegjia dhe kanë rezultuar të suksesshme”.
Përfaqësuesi i biznesit Sokol Kraja deklaroi se kjo reformë bëhet ku buxheti i shtetit ndodhet në vështirësi, ndërsa sugjeroi që në këtë ligj të shtohet edhe një nen që nuk i lejon deklaruesit të të ribëjë deklarim vite më vonë.
“Reformat bëhen për të ndihmuar buxhetin e shtetit kur është në vështirësi. Kur ka vështirësi bëhen amnisti fiskale. Në planin moral falja e taksave nuk është gjë e mirë. Në planin pragmatist është gjë shumë emirë se biznesi legalizon paratë e veta dhe investojnë. Sa më e fortë është drejtoria e përgjithshme tatimeve aq më tepër legalizohen paratë. Kjo është hera e katërt e amnistisë fiskale. Duhet por me kujdes do sugjeroja që në ligj të shtohet një nen që personat ose bizneset që i kanë legalizuar këtë herë të mos bëjë rideklarim tjetër vite më vonë”.
Duke i parë efektet në afatshkurtër dhe afatgjatë, eksperti për ekonominë Igli Tola thekson se kostot do të jenë shumë më të larta se përfitimet.
“Efektet duhen para në afatshkurtër e afatgjatë. Në afatshkurtër përfituesi kryesor është buxheti i shtetit, sepse do arkëtojë të ardhura të personave evazorë ose nga emigrimi. Në afatmesëm e afatgjatë, unë gjykoj që kostot do të jenë shumë më të larta se përfitimet. Edhe bizneset dhe qytetarët do të jenë të dekurajuar për tu angazhuar në skemat kontributore tatimore dhe kjo ndikon negativisht në bazën e tatueshme. Nuk ka shtrirje në bazën e tatueshme. Mungon studimi mbi normën tatimore dhe tavanin. Pse është caktuar tavani 2 mln euro? Cili është studimi që e mbështet këtë? Ne nuk dimë sa individë janë të gatshëm të justifikojnë këto të ardhura monetare. Mesazhi që përcillet te qytetari nuk është i duhuri”.A2