BE-ja u dha një tjetër zhgënjim vendeve të Ballkanit Perëndimor. Teksa i hapi rrugë Ukrainës për anëtarësim, ajo mbajti në vendnumëro Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut të bllokuara nga Bullgaria. Nga Brukseli, Elona Elezi.
Ndryshe nga ç’paralajmëruan pak ditë më parë, drejtuesit politikë të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë nuk e anuluan pjesëmarrjen e tyre në samitin mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili u zhvillua në Bruksel më 23 qershor.
“Biseduam gjatë më liderët e Serbisë dhe të Maqedonisë së Veriu rreth samitit të ardhshëm. Duket se në fund të tij do të dëgjojmë një tjetër përgjigje: ‘Jo, na vjen keq!’ Bullgaria që merr peng të gjithë Unionin nuk është ndonjë spektakël për t’u parë! Çfarë të bëjmë atje?!”
Me këtë status në Twitter, kryeministri shqiptar Rama mbase tentoi të parapërgatiste shqiptarët për një tjetër “JO” nga Bashkimi Evropian, në lidhje me procesin e zgjerimit dhe anëtarësimin e saj në BE. Një ditë më pas, ai konfirmoi vajtjen në këtë samit, duke e lidhur këtë ndryshim kursi me idenë që presidenti francez Macron hodhi më 9 maj të këtij viti, kur foli për një “Komunitet politik evropian”, komunitet që do të shërbejë si “paradhomë” për shtetet që presin në radhë për t’iu bashkuar “dhomës së madhe” të BE-së. Në konferencën e përbashkët për shtyp, kryeministri Rama, presidenti serb Vuçic dhe kryeministri maqedonas Kovaçevski, në unison deklaruan se e pranonin ofertën franceze.
Ballkani Perëndimor rebelohet ndaj BE
Pas më shumë se pesë orë bisedimesh mes krerëve më të lartë të Bashkimit Evropian, me liderët e Ballkanit Perëndimor, konferenca e planifikuar për shtyp e presidentit të Këshillit të BE, Charles Michel me presidentin francez, Emmanuel Macron dhe presidenten e Komisionit të BE, Ursula von der Leyen u anulua zyrtarisht për shkaqe kohore.
Belgien Brüssel | Westbalkantreffen | Pressekonferenz Edi Rama, Dimitar Kovacevski und Aleksandar VucicEdi Rama, Dimitar Kovacevski dhe Aleksandar Vucic
Por teksa kjo konferencë u anulua, një tjetër konferencë mori vëmendjen e shumë mediave gjatë këtij samiti. Rama, Vuçiç dhe Kovaçevski, si rrallëherë më parë, iu drejtuan me tone të ashpra dhe shpotitëse Unionit dhe drejtuesve të tij, ku nuk munguan as batutat e shkëmbyera mes tyre, të cilat e kthyen shpeshherë rëndësinë e ngjarjes në një “pazar të hareshëm ballkanik”.
Vetoja dyshe nga Bullgaria – shtet në të cilin qeveria ra një natë para mbajtjes së samitit, ishte fjala kyçe e përdorur në fjalimet e Kovaçevskit dhe Ramës. I pari e konsideroi atë si shtetin që mban peng ecjen para të Maqedonisë së Veriut. “I treguam BE se kemi vijat tona të kuqe kur flitet për Bullgarinë dhe siguroj qytetarët e mi që unë do të mbroj interesin e tyre deri në fund, duke mbrojtur gjuhën dhe identitetin tonë” – theksoi Kovaçevski, duke iu referuar konflikteve dhe lëmsheve historike të mbartura nga e kaluara me Bullgarinë.
Belgien Brüssel | Westbalkantreffen | Pressekonferenz Edi Rama, Dimitar Kovacevski und Aleksandar VucicKryeministri Rama duke luajtur dirigjentin në “pazarin e hareshëm ballkanik”
Një tjetër qasje kishte Rama ndaj Unionit, duke thënë se i vinte keq për BE. Në ndryshim nga homologu maqedonas, Rama nuk i përmendi qytetarët e vendit të tij por e nisi me ironinë: “Më lejoni të shpreh keqardhjen e thellë për Bashkimin Europian. Më vjen keq për ta dhe shpresoj që të mund t’i ndihmojmë”. Retorika e tij e ashpër ndaj rezultatit të këtij samiti, u komentua edhe nga homologu i tij serb Vuçiç, i cili i buzëqeshur, e komentoi sjelljen e Ramës “si të frustruar”.
“Open Balkan”
“Ballkani i Hapur” (Open Balkan), nisma rajonale ballkanike, e cila për momentin ka në përbërje të saj vetëm Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, mori shumë rëndësi gjatë të gjithë konferencës së shtyp.
“Kam kërkuar mbështetje të plotë dhe pa ekuivok për Ballkanin e Hapur, sepse edhe për këtë janë të ndarë, a thua se do jetojnë në Ballkan e janë të ndarë edhe në raport me Ballkanin për çfarë bëjmë ne në hapësirën tonë”- vijoi Rama me retorikën e tij.
Ndërsa Vuçiç nxitoi të siguronte se për nismën nuk ishte konsultuar me askënd, përfshirë këtu Putinin, duke nënkuptuar akuzat e bëra në opinionin publik se kjo është një nismë ruse.
Brüssel | EU-Westbalkantreffen
Presidenti serb e cilësoi madje dhe mbushjen e sallës plot gazetarë, si një sukses të kësaj nisme. “Kur filluam këtë proces, vetëm dy ose tre gazetarë kishin interes për të. Shihni tani, salla është mbushur plot” – tha Vuçiç me krenari. Dhe në fakt interesi ishte i lartë, por vetëm tre gazetarë në total, nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, të përzgjedhur paraprakisht, patën të drejtën e pyetjeve. Në çastet e fundit të konferencës, një gazetar francez mundi të sigurojë një pyetje, për të cilën me shaka tha se s’mund të priste për përgjigjen, duke thumbuar konferencën e stërzgjatur prej fjalimeve.
Debatet mbi “Ballkanin e Hapur” vijojnë të jenë ende të forta. Në një intervistë ekskluzive për Deutsche Welle vetëm një ditë para samitit, Manuel Sarrazin, i Dërguari Special i qeverisë federale gjermane për BP, u shpreh skeptik rreth kësaj nisme dhe theksoi fort se ajo duhet të jetë gjithëpërfshirëse, duke iu referuar mosmarrjes pjesë të Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnje – Hercegovinës. /DW