Tre vite burg janë kërkuar nga prokuroria për një 30-vjeçar shqiptar, i cili u kap me 5 kilogramë kokainë në afërsi të Deventerit në Holandë. Ai ishte duke drejtuar një automjet tip “Opel Insignia” kur u ndalua nga policia dhe iu gjet 5 kg kokainë e fshehur nën kroskot.
Makina që ai drejtonte rregullisht kalonte kufirin gjerman në Venlo përpara se të hynte në Belgjikë, ndaj Prokuroria holandeze dyshon se shqiptari është pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës. Kur doli para gjykatës i riu shqiptar është justifikuar se ai kishte ardhur në Holandë për të takuar një vajzë që e kishte njohur në rrjetin social Tik-Tok.
“Njoha një vazjë përmes Tik-Tokut dhe doja ta vizitoja”, mësohet të ketë thënë 30-vjeçari.
Gjithashtu, 30-vjeçari shqiptar ka bërë të ditur se ai ia kishte marrë makinën hua një të panjohuri në Gjermani, shkruajnë mediat holandeze.
“A nuk është e çuditshme që dikush që nuk e njeh të jep hua makinën?”, pyeti gjykata të dyshuarin.
Ndërkohë, i riu shqiptar iu përgjigj duke thënë: “Kjo s’është ndonjë gjë e pazakontë për ne shqiptarët kur takohesh jashtë vendit”.
“Ju huazoni një makinë nga dikush që nuk e njihni dhe nuk ia dini emrin ose ku jeton. Kjo është një histori e çuditshme, zotëri”, ia ktheu gjykatësi.
Më tej reagoi edhe prokurori publik duke iu drejtuar me këto fjalë: “Këtu po flasim për krime të rënda. Trafikimi i drogave të forta shpeshherë shoqërohet me flukse parave dhe dhunë” të tepruar”.
Ndërkaq, avokati i shqiptarit, Alexander Admiral i tha gjykatës se klienti i tij nuk e kishte idenë që droga ishte fshehur në makinë dhe kërkoi lirimin e 30-vjeçarit shqiptar ndërsa iu referua vendimeve të gjykatave të tjera me raste të ngjashme.
“Ai nuk e kishte idenë se kishte një hapësirë të fshehur në makinën që mori hua. Klienti sigurisht që nuk e dinte që përmbante pesë kilogramë kokainë.”
Në makinën që drejtonte 30-vjeçari kishte një ndarje të fshehur, ku oficerët gjetën një tel. Pas hetimeve, rezultoi se ajo hapësirë ishte e aksesueshme përmes një truku të atillë ku fillimisht duhej ndezur motori, më pas duhej ndezur ngrohja e xhamit të pasmë dhe më pas vendosej një magnet. Në kroskot policia gjeti pesë pako me kokainë e cila nëse do të hidhej në treg do të kapte shifrën e 350 mijë eurove.
“Nëse jeni të bindur se realisht kam qenë në dijeni për drogën në makinë, ju kërkoj të mos më dënoni me tre, por me tridhjetë vjet”, është shprehur shqiptari.